Në përurimin e vëllimit të 10-të të veprës së zgjedhur të Mithat Frashërit, u përkujtua edhe roli i tij në shpalljen e pavarësisë se vendit me 1912. Studiuesi Uran Butka solli ne kujtese shenimet e Frasherit per ngjarjen e madhe.
Ka nisur me himnin e flamurit, përurimi i vëllimit të 10-të të veprës së zgjedhur të Mithat Frashërit, një figurë poliedrike e kulturës shqiptare dhe njëherësh, një nga firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 që u zgjodh ministër i qeverisë së Vlorës. Studiuesi Uran Butka, e kujtoi përmes fjalëve të tij.
“Jo vetëm u bë pjesëmarrës por edhe kronikan i pavarësisë. Frashëri thoshte: Po dalim në dritë me një trup to dobët, në një vend plot gjëmba dhe ferra, rrethuar nga të gjitha anët. Po bëhemi më vete në një Shqipëri të lirë por edhe të cunguar. Kjo copë Shqipëri pret shërbime dhe sakrifica nga ne, sa më shumë punë duhet bërë. Paskëtaj nuk i shpëtojmë asnjë lloj justifikimi”.
I njohur ndryshe edhe me pseudonimin Lumo Skëndo, Frashëri ka meritën e veçantë të një ngritjes së një librarie të njohur në Shqipërinë e viteve ‘30, e kthyer asokohe në pikë reference dhe shtëpie kulture, ndërsa sot në mirazhin e një thesari që ruhet në pjesë. Vëllimi i 10-të i veprës së zgjedhur, përmban shqipërimet e tij nga gjuhë të huaja, nën kujdesin e Institutit të Studimeve Lumo Skëndo, themeluar nga Agron Shehaj. Vetë Shehaj shpjegoi mbështetjen për botimet si një mënyrë për të treguar historinë që si fëmijë i ishte fshehur.
“Unë dua të di historinë e vërtetë të Shqipërisë. Dhe ne jemi të vetëdijshëm se në 45 vjet komunizëm historia e Shqipërisë është tjetërsuar. Mithat Frashëri ishte një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë, dhe në dokumentet zyrtare, firmat e tij dhe e firmëtarëve të tjerë, ishin fshehur”, tha ai.
Kundërshtar i regjimit komunist, pas përplasjeve gjatë luftës, ai iku nga vendi, ndërsa në Shqipër u instalua komunizmi.
(BalkanWeb)