Pas opozitës malazeze, lidhur me demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi, është shprehur edhe mitropoliti Amfilohije. Ai ka thënë se Mali i Zi do të ishte i vërtetë vetëm nëse do ta kishte Dukagjinin, shkruan “Kurir” i Beogradit.

“Kur Qeveria e Gjukanoviqit në natën e 9 tetorit 2008 njohu pavarësinë e Kosovës, kjo ishte heqje dorë nga një pjesë e territorit që dikur i takonte Malit të Zi e ajo pjesë është Metohia (Dukagjini). Kështu u shkel betimi i mbretit (malazez) Nikola Petroviqit se Metohia është malazeze e të cilën ai e kishte e kënduar në poezinë “Atje, atje”, transmeton kjo gazetë e Beogradit.”

“Të provokuar nga rezoluta në Parlamentin e Kosovës, e cila kërkon që Podgorica t’i kthejë 12 mijë hektarë tokë, Fronti Demokratik në Mal të Zi ka paralajmëruar rezolutë sipas të cilës kërkohet që Malit të Zi t’i kthen kufijtë e vitit 1913, kur Metohia ishte pjesë e saj e rrafshi i Kosovës pjesë e Serbisë”, shkruan Kurir.

Natyrisht se gazeta Kurir nuk tregon se toka e Kosovës atëherë, pas luftërave ballkanike, ishte e pushtuar dhe e ndarë ndërmjet Serbisë e Malit të Zi, shkruan “Koha.net”.

Rreth Rezolutës në Parlamentin e Kosovës ka folur edhe mitropoliti Amfilohije i cili ka thënë se nëse “Hashim Thaçi nëse e kthen gjithë atë që deri në vitin 1945 ka qenë malazeze, me atë tokë do të bëhej tamam Mali i Zi”.

Por Amfiloheje nuk mjaftohet me kaq, ai thotë se në këtë tokë duhet të hyjnë edhe ujdhesat kroate Peleshac, Mlet, pastaj Dubrovniku, territoret deri te Neretva, rajoni i Rashkës, Nova Varosh, Novi Pazari deri te Mitrovica dhe Gjakova e Prizreni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb