MITROVICE- Familja e heroit Isa Boletini është tërhequr nga vendimi për rivarrosjen e eshtrave të tij në Vlorë.
“Tërhiqemi nga këshilli organizativ. Isa është i popullit dhe e duan në Boletin”- shprehet Gazmend Boletini, stërnip i heroit. Më tej ai thekson se familja do kërkojë që eshtrat të rivarrosen në Boletin dhe jo në Vlorë.

“Pas shumë reagimeve që kanë bërë qytetarët e Republikës së Kosovës mendoj se familja tërhiqet nga rivarrimi i eshtrave të gjyshit në Vlorë. Familja Boletini gjithmonë ka qenë pranë popullit dhe do jetë pranë popullit. Jo se kam ndonjë kundërshtim për Vlorën por familja vendos që eshtrat e gjyshit të rivarrosen në vendlindjen e tij në fshatin Boletin. Ne kemi kontaktuar edhe me drejtuesit e shtetit. Isa Boletini ka nevojë për Kosovën dhe për kullën e tij në Boletin aty ku ka lindur dhe jetuar. Qytetarët e Kosovës kanë dëshirë që Isa Boletini të jetë në vendin e tij.”- u shpreh stërnipi i heroit.

MITROVICA KERKON RIVARRIMIN E ESHTRAVE NE VENDLINDJE
Kuvendi Komunal i Mitrovicës në përfundim të mbledhjes së sotme ka dalë me tri konkluzione rreth rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini. Kreu i kësaj Komune, Agim Bahtiri, dhe asamblistët kërkojnë që të rishqyrtohet vendimi i Këshillit Organizativ për organizimin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit.

Kërkesa ndaj qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të tërhiqen nga propozimi i tyre që rivarrimi të bëhet në Vlorë, ka qenë konkluzioni i dytë i kësaj mbledhje.

Kuvendi komunal po ashtu i rekomandon këshillit organizativ që të respektojë vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës të shprehur nëpërmjet këtij kuvendi, që eshtrat e heroit të rivarrosen në vendlindjen e tij.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb