Për herë të parë në Spitalin Hygeia një ekip mjekësh kardiologë shqiptarë, arrijnë të realizojnë me sukses një ndërhyrje tepër delikate në aortë, ndërhyrje kjo e realizuar nën drejtimin e dr.Maksim Llambro, shef i Departamentit të Kardiologjisë në Spitalin Hygeia.

Pacienti i moshës 50 vjeç u paraqit në Spitalin Hygeia dhe ankonte për dhimbje të forta në gjoks, ku pas ekzaminimeve të detajuara u diagnostikua me diseksion (shkolitje) e mureve të aortës zbritëse (diseksion i tipit B), rast për të cilin ekipi i mjekëve vendosi trajtimin me vendosje të endoprotezës në rrugë perkutane.

Aorta është arteria kryesore dhe më e rëndësishme në trupin e njeriut dhe është përgjegjëse për transporitmin e gjakut nga zemra në të gjitha organet dhe sistemet e organizmit. Ndër sëmundjet më të rrezikshme që prekin aortën është edhe Diseksikoni  i Aortës që konsiderohet edhe një nga gjendjet mjekësore më urgjente. Diseksion të aortës kemi në rastet kur cipa e brendshme e aortës shqitet duke krijuar hapësirë në brendësi të murit dhe gjaku hyn nga kjo çarje e krijuar duke krijuar një rrugë false midis paretit të brendshëm dhe të jashtëm të aortës. Si rrjedhojë e diseksionit ndodh ngushtimi i lumenit të aortës duke pakësuar kështu sasinë e gjakut që duhet të shpërndahet në organizëm.

Angiografia Para Dhe Pas Vendosjes Se Endoprotezes (1)
Angiografia Para Dhe Pas Vendosjes Se Endoprotezes (1)

Diseksioni përbën rrezik për jetën e pacientit në rastet kur përfshin arteriet e organeve abdominale ose anësitë e poshtme. Shkaqet që çojnë në Diseksion të aortës mund të jenë hipertensioni arterial, kolesteroli i lartë, histori familjare me diseksion të aortës, sëmundje të lindura të zemrës, etj.

Pacienti, pas vlerësimit paraprak që ju bë nga eikipi i mjekëve kardiologë, u vendos t’i nënshtrohej  Ndërhyrjes për riparimin e diseksionit me vendosje të një Endoproteze e në segmentin proksimal të zonës së disekuar (të çarë) të aortës, ndërhyrje kjo e realizuar totalisht në rrugë perkutane (pa inçizion) dhe nën anestezi lokale. Ndërhyrja rezultoi e suksesshme, pa komplikacione mjekësore dhe pa kompromentim të fluksit të vazave të medha me origjinë në zonën e implantimit të endoprotezës.

Ky sukses, i cili nuk është i vetmi në këtë fushë, u bë i mundur sajë profesionalizmit të ekipit të mjekëve kardiologë nën drejtimin e mjekut të mirënjohur, dr.Maksim Llambros, si dhe teknologjisë bashkëkohore që Spitali Hygeia disponon. Pacienti ka lënë Spitalin në  kushte mjaft të mira shëndetësore duke ju rikthyer aktiviteteve të tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb