SHKODER– Mjekët e spitalit të Shkodrës kanë dalë sërish në protestë. Kjo është hera e tretë që personeli mjekësor del për nenin 96 të Kodit Penal.

Personeli mjekësor deklaron se dhjetori është shumë shpejt për t’u miratuar ndryshimi dhe se duhen parë konsultime. Ata kishin lajmëruar edhe më parë se do të vijojnë protestat çdo të enjte deri sa të ndryshohet neni dhe gabimet mjekësore të mos cilësohen vepra penale.

“Protesta jonë nuk është thjesht në mbrojtje të individëve apo interesave individuale, por, përkundrazi është kryesisht një kundërshtim i fenomeneve negative që lidhen drejtpërsëdrejti me konsiderimin thjesht si të karakterit personal të të gjitha ngjarjeve që lidhen më gabimet e pretenduara mjekësore, sipas nenit 96 te Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë,” tha ditë më parë mjeku dermatolog Silvan Frangaj.

Në takimin e drejtuar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, më 7 dhjetor u diskutua për vlerësimin e kuadrit ligjor aktual që rregullon përgjegjësite penale të mjekëve në ushtrimit të profesionit dhe mundësitë për përmirësimin e tij. Kreu i shëndetësisë u shpreh midis të tjerash se, “ky takim do të ndihmojë në nxitjen e një diskutimi për vlerësimin e kuadrit ligjor për ushtrimin e profesionit të mjekëve, me qëllim qartësimin e pozicionit dhe përgjegjësive të tyre dhe krijimin e kushteve më të mira për ushtrimit të detyrës, por edhe krijimin e një klime të re mirëbesimi ndërmjet mjekut, pacientëve e qytetarëve”.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb