Nga: OLA MITRE*

TIRANE – Mjekët e Spitalit Universitar të Traumës kundërshtojnë kalimin e këtij institucioni shëndetësor në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Përmes një letre dërguar kryeministrit Edi Rama, personeli i këtij spitali argumenton qëndrimin kundër, duke i kërkuar Ramës rishikimin e urdhrit. SUT kaloi në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë, në dhjetor të vitit 2012.

Ndërkohë që, përmes një shkrese të datës 27.08.2015, të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi urdhërohet ngritja e grupit ndërinstitucional të punës për vlerësimin e gjendjes, përcaktimin e masave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore për kalimin e Shërbimit të Emergjencave Civile dhe të Spitalit Universitar të Traumës, në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas të njëjtit urdhër, ky grup duhet të përgatitë dhe të dorëzojë propozimet përkatëse brenda muajit shtator. Ndërkohë, “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë letrën, dërguar kryeministrit, ku ndër të tjera mjekët shprehin gatishmërinë edhe për një takim me Ramën.

Letra e plotë
Drejtuar: Kryeministrit të Shqipërisë, z.Edi Rama
I nderuar z. Kryeministër!
U njoftuam që ka një iniciativë nga ana juaj për kalimin e Spitalit Universitar të Traumës në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Duke qenë se për 20 vjet ky spital është administruar nga Ministria e Mbrojtjes me një eksperiencë aspak pozitive, gjithë stafi i mjekëve të Spitalit të Traumës menduam t’ju paraqesim disa argumente me të cilët mendojmë se mund të rishikoni nga ana juaj, për të mirë të punës në shërbim të pacientëve.

Që nga viti 1993 deri në dhjetor 2012 pacientët e traumatizuar janë trajtuar pranë Spitalit Ushtarak, pra për 20 vite në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjatë kësaj kohe, pasi u provuan dhe riprovuan të gjitha mënyrat e mundshme të menaxhimit u pa që një gjë e tillë ishte e pamundur dhe për këtë arsye u mor vendimi për kalimin në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Prej 25 vitesh është një nga spitalet më të rëndësishme të Shqipërisë. Ka shërbyer si qendër traume në situatat më kritike të vendit. Është i vetmi spital i këtij lloji në Shqipëri. Kemi pasur vazhdimisht mungesa në barna dhe materiale mjekësore. Ka pasur vazhdimisht ndërprerje të aktivitetit të sallave të operacionit për shkak të mungesave materiale. Ka pasur raste që për 6-7 muaj nuk janë kryer operacione. Ushtria nuk kishte dhe nuk mund të ketë kapacitete njerëzore për menaxhimin e Qendrës Kombëtare të Traumës.

Nga statistikat ndër vite, u pa që 97% e punës përbëhej nga pacientë civilë. Në këtë spital trajtohen rreth 44 000 urgjenca në vit. Shtrohen rreth 3600 pacientë dhe nga këto 50% e tyre vijnë nga rrethet me transport tokësor dhe ajror. Kishte mungesë të theksuar të koordinimit midis Spitalit Ushtarak dhe spitaleve të rretheve për shkak të vartësive të ndryshme, çka ka sjellë në disa raste vonesë në trajtimin e pacientëve. Përballimi i ngjarjeve traumatike masive e vuri në vështirësi financiare spitalin duke qenë që buxheti në Ministrinë e Mbrojtjes llogaritej për ushtarakët dhe nuk kishte mundësi rialokimi. Ishte i pamundur hartimi i protokolleve dhe strategjive të profilaksisë dhe trajtimit të traumës nga Ministria e Mbrojtjes si një problem kombëtar në rritje. Në Ministrinë e Mbrojtjes mungon ekspertiza për menaxhimin e traumës. Deri në dhjetor 2012 Spitali Ushtarak mbeti spital më pak i pajisur me aparatura mjekësore, krahasuar edhe me spitalet e rretheve. Nuk është blerë asnjë pajisje mjekësore dhe nuk është bërë asnjë investim për 20 vite të vartësisë nga Ministria e Mbrojtjes.

Menjëherë pas ardhjes në pushtet të koalicionit të majtë u organizua një takim ndërmjet ministrit të Shëndetësisë z.Ilir Beqaj dhe një grupi mjekësh nga Spitali Universitar i Traumës. Në këtë takim, ministrit ju prezantua situata skandaloze ku ushtria e kishte katandisur spitalin.

Ministri reagoi në mënyrë emergjente, duke sjellë rezultatet e mëposhtme:
a) Spitali gjatë këtyre 3 viteve ka bërë hap cilësor në menaxhim.
b) Që nga viti 2013 deri tani nuk është ndërprerë puna asnjëherë duke kryer rreth 20-25 operacione në ditë.
c) Është pajisur gjatë vitit 2014-2015 me aparatura cilësore të munguara deri në atë kohë si: Skaner dhe rezonancë magnetike, respiratorë, laborator, monitor individual dhe qendror për pacientët në reanimacion.
d) Ka pasur përmirësime të dukshme në furnizimin me medikamente dhe materiale mjekësore.
e) Është punuar fuqishëm përsa i përket edukimit në vazhdim.
f) Është përgatitur materiali i nevojshëm për implementimin e lëndës së traumës në Fakultetin e Mjekësisë dhe në ciklin e specializimit të Kirurgjisë së Përgjithshme aq të nevojshëm për përgatitjen e mjekëve të rinj.
g) Si rezultat i financimit nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka pasur rialokime fondesh, duke sjellë përmirësim në furnizimin me medikamente dhe materiale mjekësore.
Jemi të mendimit se kalimi në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes sjell menjëherë këto pasoja:
1. Dëmtimi i dinamikës për rritjen e buxhetit për spitalin.
2. Pamundësi për rialokim fondesh.
3. Prishja e projektit për formimin e Departamentit të Traumës.
4. Prishja e menjëhershme e projektit të bashkimit të shërbimit Ortopedi-Traumatologji në një të vetëm në Spitalin e Traumës.
5. Rrezikun deri në ndërprerje të kredisë së shtetit italian prej 5 milion euro për Spitalin e Traumës.
6. Pamundësi për krijimin e lidhjeve me spitalet analoge të shteteve perëndimore të varura nga Ministria e Shëndetësisë.
7. Humbje e sistemit të referimit.
8. Ulje të nivelit cilësor të personelit shëndetësor.
9. Ulje të nivelit të shërbimit ndaj pacientëve.
Në këto kushte kemi mendimin e gjithë stafit që t’ju kërkojmë mundësinë e rishikimit të urdhrit për të mos kaluar Spitalin Universitar të Traumës në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse e shikoni të arsyeshme jemi të gatshëm që një përfaqësi e mjekëve t’ju takojë për t’ju prezantuar çdo detaj që do e gjykoni të nevojshëm.
Në pritje të përgjigjes tuaj, me respekt mjekët e Spitalit Universitar të Traumës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb