NGA OLA MITRE*

Të gjithë mjekët, farmacistët dhe stomatologët, të cilët nuk janë dakord me rezultatet përfundimtare të publikuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim për plotësimin e detyrimeve të ciklit të parë të ricertifikimit, kanë kohë deri në datën 30 prill për të depozituar ankesat e tyre. Sipas QKEV-së, ky është afati përfundimtar dhe pas tij nuk do të pranohet më asnjë ankesë. Ndërkohë që, bazuar në dokumentin Rregullator për Ricertifikimin e Profesionistëve të Shëndetësisë, shqyrtimi i ankesave për procedurat e njohjes dhe regjistrimit të krediteve përkatëse bëhet pranë Bordit të Ricertifikimit dhe Akreditimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Në fakt, pas përpunimit të rezultateve përfundimtare nga QKEV, rezultoi se 992 mjekë, farmacistë dhe stomatologë kishin marrë 0 kredite gjatë ciklit të parë të edukimit në vazhdim. Për pasojë këta profesionistë të shëndetësisë duhet të përballen me sanksionet që parashikohen në urdhrin e muajit korrik, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Shifra e mësipërme i takon personelit shëndetësor në sistemin publik dhe atë privat, ndërkohë që me sanksione do të përballen edhe rreth 1400 të tjerë profesionistë të shëndetësisë. Kjo pasi, ata nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve sipas ciklit të parë të ricertifikimit (150 kredite mjekët dhe 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). Kjo do të thotë se, çdokush që nuk e gjen emrin në listën përfundimtare të QKEV-së ka të drejtë të depozitojë dhe ankesën përkatëse, pasi në këtë mënyrë mund “të shpëtojë” nga pozita në të cilën ndodhet. Pak javë më parë, QKEV publikoi listën përfundimtare me rreth 7600 mjekë, dentistë dhe farmacistë, të cilët kishin përmbushur detyrimet e për pasojë e kanë të ‘sigurt’ vendin e punës.

SANKSIONET
Sipas vendimit me nr. 295, datë 08.07.2014, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, profesionistëve të sistemit publik, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca, ndërsa që prej ditës kur njoftohen nga QKEV, drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar, do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Për profesionistët e sektorit privat, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, urdhri profesional përkatës pezullon licencën, pas njoftimit nga QKEV. Këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Ndërkohë që, profesionistët e sektorit privat që kanë më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar, do të vazhdojnë punën, por duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve iu pezullohet licenca. Ata fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.
VENDIMET E BORDIT
Në vijim të vendimit të mësipërm, pak javë më parë u mblodh edhe Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, i cili përcaktoi se provimi i ricertifikimit do të zhvillohet brenda gjashtë muajve, duke filluar nga data 15 prill 2015. Po ashtu, brenda datës 15 prill 2015, urdhrat e profesionistëve dhe fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve të shëndetit do të hartojnë programet orientuese për të gjitha kategoritë e profesionistëve që do të duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: