Nga: Ola Mitre*

TIRANE- Mjekët, farmacistët dhe stomatologët, që nuk kanë përmbushur detyrimet e programit të parë të ricertifikimit, do të kenë afat deri në datën 30 prill për të paraqitur pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim dokumentet që provojnë kryerjen e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për periudhën 1 janar 2010 – 31 dhjetor 2014. Shtyrja e afatit, i cili kishte përfunduar tashmë, është vendosur nga Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, duke iu dhënë kështu një shans të dytë. Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të Bordit është miratuar dhe rregullorja e provimit të ricertifikimit, së cilës do t’i nënshtrohen të gjithë ata profesionistë që nuk kanë mbledhur numrin e kërkuar të krediteve gjatë ciklit 5-vjeçar (150 kredite mjekët dhe nga 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). Sipas rregullores, të cilën “Gazeta Shqiptare” e publikon sot të plotë, nga ky detyrim do të përjashtohen profesionistët e punësuar në shërbimin publik shëndetësor, të cilët për 2 vjet ose më pak arrijnë moshën e pensionit. Po ashtu, përjashtohen dhe profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë 2 vjet përpara përfundimit të ciklit të ricertifikimit.

Kjo do të thotë se, ata mjekë, dentistë dhe farmacistë që janë licencuar pas datës 1 janar 2012, nuk do t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit. Po ashtu, rregullorja saktëson se profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë ta përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë. Ndërkaq, duke qenë se afati për pranimin e dokumenteve që vërtetojnë pjesëmarrjen në aktivitete të edukimit në vazhdim u shty deri në datën 30 prill, QKEV-ja do të hartojë listën përfundimtare të profesionistëve të shëndetësisë që kanë përmbushur detyrimet e programit të certifikimit, më datë 10 maj 2015. Ndërkohë që, atyre profesionistëve të shëndetësisë të sektorit publik, të cilët do të rezultojnë me zero kredite, vendi i punës do t’u bëhet vakant. Ndërsa atyre që punojnë në sektorin privat do t’u pezullohet licenca, pa të cilën nuk mund të ushtrojnë profesionin. Ata do ta rifitojnë këtë të drejtë, pasi të kalojnë me sukses provimin e ricertifikimit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: