SHBA – Presidenti Barack Obama po kërkon që të investohen 215 milionë dollarë për një nismë të re të shëndetësisë, e cila do të ndihmonte në përshtatjen e trajtimit mjekësor të njerëzve me gjenet e tyre. Presidenti Obama pritet të propozojë që shumica e fondeve t’i jepet Institutit Kombëtar të Shëndetësisë dhe degës së tij, Institutit Kombëtar të Kancerit, për krijimin e “ilaçit të saktë”, një trajtim që do të zëvendësonte trajtimin me një mjekim që t’i përshtatet të gjithëve.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se “shumica e trajtimeve të deritanishme janë menduar për pacientin e zakonshëm dhe si rezultat, ato mund të jenë të suksesshme tek disa pacientë, por jo për disa të tjerë”.
Fondet e kërkuara nga Presidenti do të përdoren për grumbullimin e gjeneve, të dhënave kimike dhe të stilit të jetesës nga një milionë vullnetarë, të cilët do të përfshihen në studim, për të përcaktuar se si variantet gjenetike ndikojnë tek shëndeti dhe sëmundjet e njerëzve. Por fillimisht, nisma, e cila është pjesë e buxhetit të Presidentit për vitin 2016, duhet të miratohet nga Kongresi i kontrolluar nga republikanët.
(er.nu/voa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb