TIRANË- Shoqata e Pediatrisë ka dalë sot në mbrojtje të mjekes pediatre, e cila u pezullua dy ditë më parë, pas publikimit të një videoje ku asaj i ishin dhënë 2 mijë lekë të vjetra. Shoqata e Pediatrisë ka ngritur një padi ndaj personit që filmoi videon dhe që akuzoi mjeken se kishte marrë ryshfet.

Në reagimin e Shoqatës së Pediatrisë thuhet se mjekja u dhunua në krye të detyrës dhe se ngjarja është e inskenuar. Për më tepër Shoqata e Pediatrisë deklaron se mjekja është model në punën e saj. “Mjekja u dhunua në krye të detyrës. Kjo ngjarje është e inskenuar. Mjekja është model në punën e saj. Kjo ngjarje ka indinjuar dhe vetë familjarët. Ne si Shoqatë kemi kallëzuar personin që ka filmuar videon”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Pediatrisë.

Dy ditë më parë në rrjetet sociale u shfaq një video ku një mashkull që filmonte në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, akuzonte mjeken se ka marre ryshfet. Edhe pse mjekja mohon, ai insiston dhe ia nxjerr nga xhepi i përparëses së bardhë si provë një 2 mijë lekësh të vjetër. Sipas tij, mjekja ia mori lekët me dashje një pacienti. Mjekja insiston se lekët ia kanë futur me zor në xhep, por personi që filmon videon e kritikon dhe e fyen për gjestin që ka kryer. Menjëherë pas publikimit të videos, Ministria e Shëndetësisë pezulloi punonjësen e sistemit të kujdesit shëndetësor me iniciale F. K., deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, nga grupi i punës që është ngritur për këtë qëllim dhe organet kompetente.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: