KOSOVE- Mjeku i dënuar për trafikim të organeve, Lutfi Dervishi, është duke punuar si urolog, dhe këtë veprimtari po e ushtron pikërisht në objektin ku u arrestua pesë vite më parë, në vendin e krimit, në Klinikën “Medicus”.

Një hulumtim i Gazetës Express sjell të vërtetën rreth kësaj veprimtarie të papenguar të Dervishit, bekimin që Qeveria ia dha atij me një licencë dhe shfrytëzimin e legjislacionit kosovar nga Dervishi dhe doktorët e tjerë të “Medicus”.

Kosova ka pësuar një dëm të jashtëzakonshëm në imazhin e saj, pikërisht për shkak të një mjeku dhe një klinike në Prishtinë. Madje, për shkak të trafikimit të organeve që bëheshin aty dhe më pas, pas jehonës edhe në media ndërkombëtare që kishin ato, prej shumë zyrtarëve është konsideruar se pikërisht për këtë janë stopuar edhe dhjetëra njohje të reja të shtetit të Kosovës.

E megjithatë, Lutfi Dervishi, doktori i dënuar me 8 vite burgim – fajtor për trafikim me organe në rastin e famshëm “Medicus” – është kthyer në të njëjtin objekt e po e bën të njëjtën punë, por tash në një biznes që e ka licencuar Qeveria e që ka një emër të ri.

Bashkë me të, në këtë klinikë private punon edhe Tunë Pervorfi, i arrestuar bashkë me Dervishin në nëntorin e viti 2008, atëherë edhe kur nisi hetimi për trafikim ndërkombëtar të veshkave, i njohur si “Medicus I”.

Një hulumtim i Gazetës Express ka verifikuar se të njëjtit po e ushtrojnë këtë veprimtari, por deri tash Lutfi Dervishi nuk ka komentuar për gazetën, përkundër insistimit të vazhdueshëm dy ditor. Autoritete e dinë këtë, por Dervishi do të punojë në këtë punë edhe për një kohë të gjatë.

Gazeta Express ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKU), ku po ashtu punon Dervishi, se të njëjtit nuk mund t’i ndërpritet tash për tash aktiviteti, këtë e pamundëson Ligji i Punës.

“Marrëdhënia e punës i ndërpritet të punësuarit që shkon në vuajtje të dënimit më tepër se 6 muaj. Pra, derisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm të formës së prerë nga Gjykata lidhur me dënimin, nuk mund t’i ndërpritet kontrata e punës asnjë punëtori”, thuhet në përgjigjet e QKUK-së për Express.

Lutfi Dervishi, në prill të vitit 2013 u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga palët e përfshira në rast, mbrojtja e të akuzuarve në “Medicus I” dhe Prokuroria, janë ushtruar ankesa në Gjykatën e Apelit. Rrjedhimisht, vendimi për dënimin e Lutfi Dervishit, djalin e tij Arban Dervishin, mjekët Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla e Islam Bytyqi nuk është përfundimtar.

Nëse Apeli do ta mbajë këtë dënim, ta rrisë atë, apo do ta zvogëlojë, nuk do të mësohet këtë vit. Vendimi mund të nxirret fiks dy vite pasi që u nxor vendimi i parë, aq edhe sa ishte ndalesa për Dervishin që të mos e punonte si mjek – Dervishi pos që është dënuar me 8 vjet e 10 mijë euro, atij, nga vendimi i parë gjyqësor, i ndalohet ushtrimi i profesionit të urologut për dy vite nga plotfuqishmëria e dënimit.

“Gjykata e Apelit planifikon që seanca e kolegjit, lidhur me lëndën në fjalë, të caktohet në shkurt ose mars të vitit 2015”, ka thënë për Express, Arbër Jashari, Zëdhënës në Gjykatën e Apelit.

Nga deklaratat publike del që krejt rasti “Medicus I” po zvarritet.
“Arsye pse rasti ‘Medikus’ nuk është caktuar deri më tani është se fillimisht lënda i është ndarë një gjyqtari ndërkombëtar të cilit i ka mbaruar misioni në shtator”, tha Jashari.

Nga 27 shtatori, rasti i është dhënë në punë një gjyqtari tjetër ndërkombëtar të Gjykatës së Apelit i cili tashmë është duke e përgatitur atë. Për shkak se lënda është tepër voluminoze rreth 100 dosje, gjyqtarit i duhet akoma kohë, arsyetojnë në Apel.

Ndryshe, në “Medicus I” janë dënuar urologu dhe pronari i klinikës Medicus, Lutfi Dervishi me tetë vite burg dhe 10 mijë euro gjobë, djali i tij Arban Dervishi është dënuar me shtatë vite burg dhe me një gjobë prej dymijë e pesëqind euro.

Lutfi dhe Arban Dervishi janë obliguar nga gjykata që të kompensojnë viktimat me pesëmbëdhjetë mijë euro. Anesteziologu Sokol Hajdini u shpall fajtor për lëndim të rëndë trupor, me tri vjet heqje lirie.

Asistentë-anesteziologët, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dula, u dënuan me nga një vit dënim me kusht për lëndim të rëndë trupor, me kusht që brenda dy vitesh të mos bëjnë vepër të re penale.

Ilir Rrecaj, ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, u lirua nga akuza për abuzim të detyrës zyrtare dhe u refuzua akuza tjetër ndaj tij, ajo për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Edhe Driton Jiltës, kirurg, iu refuzua akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit mjekësor.
Mjekët e “Medicus I” punojnë në QKUK.

Arrestimi i mjekëve në rastin ‘Medicus” kishte qenë njëri prej aksioneve më spektakolare të Policisë së Kosovës. Personat që ishin arrestuar aty dhe njëri prej të cilëve edhe i dënuar, Lutfi Dervishi e urologu Tunë Pervorfi, tash po punon, përveç në objektin ku ishte “Medicusi”, edhe në QKUK.

Pra, “derisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm të formës së prerë nga Gjykata lidhur me dënimin, nuk mund t’i ndërpritet kontrata e punës asnjë punëtori”, thanë në këtë institucion.

Në vendin ku më 4 nëntor 2008 u arrestuan Tunë Pervorfi, Lutfi Dervishi dhe Arban Dervishi dhe ku nisi rastin “Medicus I” tash me lejen e Qeverisë së Kosovës operon një tjetër biznes për veprimtari të njëjtë – klinikë e urologjisë.

Për ironi, edhe stafi është i njëjtë – urologët e arrestuar pesë vite më parë.

(m.k/GazetaExpress/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb