Mjeku i njohur Vasil Llajo ka folur në lidhje me kandidimin e tij në listën e hapur të Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës për zgjedhjet e 11 majit. Në një komunikim të drejtpërdrejtë për News24, Llajo u shpreh se vendimi për të hyrë në politikë nuk ishte i lehtë, por ai e sheh si një mundësi për të sjellë një qasje të re.
“Fati e solli që në këto kohëra, mes atyre që do të thyejnë disa tabu në politikë, të jem edhe unë. Por unë e theksoj se nuk do të lë aktivitetin mjekësor – ky do të jetë një angazhim shtesë,” deklaroi ai.
Llajo pranoi se për muaj të tërë kishte pasur dilema nëse duhej të angazhohej politikisht, por në fund vendosi të pranonte kandidimin. Megjithatë, ai e bëri të qartë se e ardhmja e tij si deputet do të vendoset nga vota e qytetarëve.
“Elektorati do të jetë ai që do të vendosë nëse do i përfaqësoj apo jo. Vota e tyre do të vendosë për pjesëmarrjen time ose jo në këtë parlament,” tha ai.
Mjeku theksoi gjithashtu se nuk është e pazakontë që partitë politike ftojnë intelektualë në radhët e tyre për të përfaqësuar denjësisht qytetarët në Parlament. “Çdo forcë politike u drejtohet intelektualëve për të marrë pjesë, dhe kjo nuk është aspak çudi,” tha ai.
Llajo shprehet i bindur se nuk do të devijojë nga politika mjekësore.
“Unë do përqendrohem gjithmonë tek politika mjekësore, nuk do bëj politikë për politikë. Unë nuk kam për ta lënë mjekësinë. Ky do të jetë një aktivitet shtesë që unë mendoj se e përballoj. Unë nuk kam dashur, është një dilemë e imja për disa muaj derisa vendosa të jem dhe unë pjesë e e këtyre strukturave të kandidimit. Do ofroj veten time që të jap dhe jo të marr. Partitë politike janë ato që u interesojnë t’ju bëjnë ftesë disa figurave që mendojnë se i përfaqësojnë me dinjitet në radhët e parlamentit”.
Llajo tha se në Parlament do përfaqësojë veten dhe qytetarët që besojnë tek ai.
“Nuk ka rëndësi parti të majtë apo të djathtë, rëndësi ka të jenë të tilla që t’i japin një hov zhvillimit të ri jetës politike të vendit. Nuk ka rëndësi me kë do të jem, unë do të përfaqësojë veten time. Edhe në praktikën time mjekësore nuk kam vënë re dhe nuk kam pasur busull se çfarë kanë bërë të tjerët. Busulla ime ka qenë se çfarë do të bëjë unë. Unë do të bëjë betejën time aq sa më lejon formimi dhe edukata ime”.
I bindur se kjo luftë politike do të jetë e vështirë, mjeku Llajo tha se do vazhdojë betejën me diplomaci.
“Unë jam i sigurt që në disa momente do të kem edhe hedhje balte mbi fytyrën time, mbi figurën time. Do ta pranoj dhe do ti kthehem me mirësi dhe me dashamirësi, e t’ju shpjegoj se unë këtu erdha praktikisht të ndryshoj disa politika mjekësore apo dhe politikave ndaj epokës së re. Lufta gjithandej është e egër. Problemi është se sa qytetar do të jemi ne në këtë luftë që do bëjmë me njëri-tjetrin, do nxjerrim dhëmbët dhe thonjtë apo do veprojmë me fakte dhe dokumente”, tha Llajo.
“Programi im është i angazhuar vetëm në mjekësi. Nuk i kam matur forcat e mia që do të jem pjesë e parlamentit apo jo, akoma jam tek mjeku”, theksoi ai.