Kryeministri iu nënshtrua sot një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike të hernies inguinale nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata.
Mjeku Arben Gjata në një reagim për News24, u shpreh se gjendja e kryeministrit është stabël.
“Rama është zgjuar nga anestezia dhe është në gjendje stabël. Operacioni i Ramës zgjati rreth 2 orë, ndërsa kryeministri do të qëndrojë sot në ambientet spitalore Operacioni ishte planifikuar disa ditë më parë”, u shpreh ai.
Rama paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohet sërish për shkak të një problemi shëndetësor.
Gjatë një vizite në QSUT, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient për një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale.
“Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që…i kam mësuar edhe emrin… se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbolli, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama.
(BalkanWeb)