I ashtuquajturi mjek popullor Hysri Peqani, i njohur si Burdushi, ka tentuar t’i japë fund jetës para dy javësh në qendrën e paraburgimit në Prizren, ku është duke u mbajtur për më shumë se dy muaj. Këtë veprim, Burdushi ka deklaruar se e ka bërë në shenjë të pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës.
Aktin e tij e ka konfirmuar drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, për Gazetën Express.

Ai ka thënë se Burdushi ka tentuar të bëjë vetëvrasje më 25 shkurt të këtij viti, rreth orës 05:00 të mëngjesit, por se zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë.

“Me datën 25.02.2019, rreth orës 05:00 të mëngjesit, i paraburgosuri H.P. ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit, i cili është në dhomën e tij. Pasi është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende pa filluar (d.m.th. në fazën fillestare)”, ka thënë Thaçi.

Drejtori i burgjeve ka thënë se Burdushit i është dhënë ndihma mjekësore dhe se është konstatuar që nuk ka lëndime.

“Të paraburgosurit në fjalë i është dhënë ndihma mjekësore dhe është bërë kontrolli mjekësor, me ç’rast është konstatuar se nuk ka kurrfarë lëndime, por përveç shqetësimit dhe frustrimit. Në bazë të deklaratës së dhënë nga i paraburgosuri, këtë veprim e ka bërë në shenjë të pakënaqësisë së vendimit të Gjykatës dhe të padrejtësisë që i është bërë atij”, ka thënë Thaçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb