NGA OLA MITRE
Në 3 vitet e fundit ka një rritje progresive të incidencës së sëmundjeve të veshkave në Shqipëri. Ndërkohë që, sipas studimeve të fundit, çdo njeri ka 59.9% probabilitet apo rrezik të vuajë nga sëmundjet e veshkave, duke zënë vendin e pare në botë”. Deklarata është bërë nga mjeku nefrolog, Prof.Myftar Barbullushi, gjatë takimit të organizuar nga Shoqata e Nefrologjisë, në Ditën Botërore të Veshkave. Megjithatë, sipas Barbullushit, situata e trajtimit të personave që vuajnë nga veshkat është përmirësuar dukshëm. “Falë mbështetjes financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ne sot kemi mbulim absolut të dializës për pacientët tanë”, tha prof.Barbullushi.

Kujdes
Sipas Barbullushit, ka disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes kronike të veshkave. “Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni) dhe diabeti janë shkaqet më të zakonshme apo më të shpeshta të sëmundjes së veshkave. Presioni i lartë i gjakut shkakton më shumë se një të katërtën e të gjitha rasteve të pamjaftueshmërisë së veshkave. Diabeti shkakton rreth një të tretën e të gjitha rasteve dhe është shkaku më i zakonshëm i Sëmundjes Renale të Stadit të Fundit, në shumicën e vendeve të zhvilluara. Kushtet e tjera më pak të zakonshme përfshijnë inflamacion ose infeksionin. Ndonjëherë sëmundja kronike e veshkave është e trashëguar ose mund të jetë si rezultat i bllokimit për një kohë të gjatë të sistemit urinar (të tilla si zmadhimi i prostatës ose gurët në veshka). Po ashtu, disa ilaçe mund ta shkaktojnë këtë sëmundje”, shpjegon ai. Ndërkaq, duke marrë në konsideratë shkaqet, specialistët e ISHP-së thonë se ka disa mënyra të lehta për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së veshkave, të cilat mund t’i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Transplantet
Ndërkaq, pas financimit të paketave të transplantit edhe në spitalet private, drejtori i FSDKSH, Astrit Beci, tha se në vitin 2016 do të bëhet e mundur heqja e listës së pritjes. “Në një kohë të shkurtër, në vetëm pak muaj, ne arritëm të shkurtonim me 45% listën e pritjes për pacientët që kanë nevojë për transplant dhe kanë dhurues familjarë të përshtatshëm, të cilët kanë qenë prej vitesh në listë-pritje. Me këto ritme, në vitin 2016, pretendojmë të bëjmë të mundur heqjen e listë-pritjes, pasi do të realizojmë edhe transplantet e mbetura gjatë kësaj periudhe”, tha drejtori i FSDKSH. Aktualisht ‘Fondi’ financon shërbimin e dializës për rreth 900 pacientë që përfitojnë shërbimin në spitalet publike dhe private, ndërsa janë kryer me sukses 5 transplante, me financimin e këtij institucioni. Po ashtu, janë në proces disa të tjerë, që pritet të finalizohen së shpejti.

8 RREGULLA PËR TË PARANDALUAR SËMUNDJEN KRONIKE TË VESHKAVE
Ü Qëndroni aktivë dhe në formë
Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin; për këto arsye ul rrezikun e sëmundjes kronike të veshkave. Merruni me aktivitet fizik të moderuar, të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës, si ecja me ritëm mesatar, vrapim, lëvizje me biçikletë, etj.
Ü Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak
Rreth gjysma e njerëzve që kanë diabet zhvillojnë dëmtime në veshka, të cilat mund të reduktohen ose të parandalohen nëse zbulohen herët; kështu që është e rëndësishme për njerëzit me diabet të kryejnë analiza të rregullta për të kontrolluar funksionet e veshkave të tyre.
Ü Masni rregullisht tensionin e gjakut
Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Niveli normal i tensionit të gjakut është 120/80 mmHg. Në mes të këtij niveli dhe 129/89, konsiderohet prehypertension, prandaj duhet të përshtatet mënyra e jetesës dhe të bëhen ndryshime në ushqyerje. Nëse tensioni është 140/90 mmHg dhe më lart, atëherë duhet të diskutoni me mjekun dhe të kontrolloni rregullisht presionin e gjakut. Pacientët me tension të lartë të gjakut duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë avancimin drejt sëmundjes kronike të veshkave.
Ü Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll
Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione me fruta e zarzavate, 5 porcione me drithëra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë (rreth një lugë çaji) dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kripura. Përpiquni të kufizoni konsumin e ushqimeve të përpunuara dhe të restoranteve, dhe mos u shtoni kripë ushqimeve në tryezë.
Ü Merrni sasinë e duhur të lëngjeve
Për të ruajtur shëndet të mirë, duhet të konsumoni 1.5 deri 2 litra lëngje. Konsumi i shumtë i lëngjeve ndihmon veshkat të pastrohen nga natriumi, ureja dhe toksinat e tjera nga trupi. Nga ana tjetër, ky konsum çon në ulje të ndjeshme të rrezikut për zhvillimin e sëmundjes kronike të veshkave. Mesatarisht duhet të merren rreth 2 litra ujë çdo ditë, që të zvogëlohet rreziku i rënies së funksionit të veshkave. Është e rëndësishme të mbahet parasysh se marrja e lëngjeve varet nga shumë faktorë si gjinia, aktiviteti fizik, klima, kushtet shëndetësore, shtatzënia dhe dhënia e gjirit. Përveç kësaj, njerëzit që kanë pasur gur në veshka këshillohet të pinë 2-3 litra ujë në ditë për të pakësuar rrezikun e formimit të gurëve të rinj.
Ü Mos pini duhan
Duhanpirja ngadalëson rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmton funksionimin e tyre. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50%.
Ü Mos përdorni ilaçe pa konsultën e mjekut
Shumë njerëz për të qetësuar dhimbjet e ndryshme përdorin pa kriter apo me shumicë ilaçe kundër saj, p.sh. brufeni,etj. Medikamente të tilla ndoshta nuk përbëjnë rrezik të ndjeshëm në qoftë se veshkat tuaja janë relativisht të shëndetshme dhe ju i përdorni vetëm për raste urgjente. Por në qoftë se keni të bëni me dhimbje kronike, të tilla si artriti ose dhimbje shpine, duhet të flisni me mjekun tuaj për të gjetur një mënyrë për të kontrolluar dhimbjen tuaj pa vënë në rrezik veshkat tuaja.
Ü Kontrolloni funksionin e veshkave nëse keni një ose më shumë faktorë të rrezikut:
n Jeni 50 vjeç e lart
n Vuani nga diabeti
n Vuani nga tensioni i lartë i gjakut
n Jeni mbipeshë apo i dhjamosur
n Jeni duhanpirës
n Keni histori familjare për sëmundje të veshkave

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: