“Ulliri, pema e dhimbjes” e kineastit Dhimitër Anagnosti, u promovua në skenën e një teatri, mes shumë kolegëve të fushës e dashamirës të artit të tij. Pas një pauze pesë vjeçare nga botimi i romanit  “Koburja nga Europa”, Anagnosti, si medium i librit, sjell rrëfime të tre brezave: Atit, Birit dhe dy vajzave. Edhe pse gjithmonë i rezervuar për të folur për krijimtarinë e tij, të pëlqyer nga të gjithë brezat, mjeshtri i kinemasë, nuk i fsheh emocionet kur i duhet të flasë përballë miqve të tij të disa dekadave.

Emocionet nuk i fsheh as bashkëshortja e tij, partnerja e jetës dhe e shesh xhirimit. Në një intervistë për News24, Roza Anagnosti rrëfen momentet kur kineasti i njohur ka mbledhur impresionet e tij për t’i sjellë në një përmbledhje si “Ulliri, pema e dhimbjes”.

“Ky është  një proces shumë i gjatë. Dhimitri, gjithë jetën e tij, çdo xhaketë e tij, do e kishte një fletë letre dhe një laps. Çdo impresion që kishte, nga njerëzit, nga jeta, ngjarje, episod, ai i shkruante, me një frazë. Dhe vjen momenti që ai i zhvilloi si artist, duke u nisur nga një e vërtetë. Sot jam e emocionuar sigurisht. Është një punë e jashtëzakonshme, jam e lumtur që arriti ky moment, sepse artisti ka nevojë për emocione. Nuk vjen me film, po me një libër, një libër spektakël, libër-film në një farë mënyre”, shprehet zonja Anagnosti.

Libri, si një provë se Shqipëria letrare është më e bukur se Shqipëria politike, ideologjike, ekonomike dhe historike, përmban  tregime, skica dhe një novelë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb