Një dëshmitar i mbrojtjes tha në gjyqin ndaj Ratko Mlladicit në Hagë se boshnjakët u vranë pranë kampit të burgut serbo-boshnjak në Manjaça në vitin 1992, por fajësoi policinë civile për krimet.

Radomir Radinkovic, një ish-oficer i inteligjencës në Ushtrinë Serbe të Bosnjës në kampin e burgimit të Manjaças pranë qytetit të Banjallukës, dëshmoi të martën se 24 boshnjakë nga Sanski Mosti u mbytën për vdekje në një kamion që policia serbe e përdorte për t’i transportuar ata në kamp.

Dëshmitari pohon gjithashtu se një numër të burgosurish nga Prijedori u vranë gjithashtu para kampit në verën e vitit 1992.

Radinkovic rrëfeu se disa nga 1,430 të burgosurit nga Prijedori, në gusht të vitit 1992, u vranë ndërsa prisnin në 11 autobusë të pranoheshin në kamp.

“Nuk e dinim nëse ata u rrahën apo ekzekutuan”, tha Radinkovic, por më vonë ai shtoi se i është thënë se “ata u nxorën nga autobusët dhe u vranë”.

“Nuk arrija t’i dëgjoja britmat e tyre, por policët ushtarakë e bënë dhe ata na thanë… Policët ushtarakë i panë ata t’i merrnin dhe t’i vrisnin”, tha Radinkovic.

Ish-shefi i ushtrisë serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç po gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë për persekutimin e jo-serbëve në komunën boshnjake të Krajinës, gjë e cila arriti në shkallë gjenocidi gjatë luftës.

Ai po gjykohet gjithashtu për rolin e tij në organizimin e gjenocidit të Srebrenicës, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Radinkovic filloi dëshminë e tij në gjykatë ditën e hënë, kur tha se të burgosurit boshnjakë dhe kroatë të mbajtur në kampin Manjaça në vitin 1992 u trajtuan sipas konventave ndërkombëtare dhe janë vizituar rregullisht nga Kryqi i Kuq.

Por ndërsa i përgjigjej pyetjeve të prokurores Caroline, Radinkovic konfirmoi gjithashtu se tetë të burgosur boshnjakë ishin rrahur për vdekje.

“Fatkeqësisht, kjo u bë nga policia,” tha dëshmitari, i cili këmbënguli se policët ushtarakë nuk mund ta ndalonin dot krimin.

Kryegjyqtari Alfons Orie e pyeti se pse ai nuk e ndaloi policinë civile. “Nuk ishte puna ime t’i thërrisja dhe t’u thosha të vepronin në mënyrë humane dhe morale,” u përgjigj Radinkovic.

Ai përshkroi se si 24 boshnjakë nga Sanski Most u mbytën ndërsa transportoheshin në Manjaça me kamion.

“Ata u mbytën, sepse kamioni ishte i mbuluar. Ishte pothuajse i izoluar hermetikisht dhe ata më të dobëtit u mbytën,” tha Radinkovic.

“Nuk i vrau njeri,” shtoi ai.

Ai tha se policët civilë donin t’i linin trupat në kamp, por menaxherët në Manjaça i detyruan ata t’i merrnin përsëri mbrapsht në Sanski Most.

Radinkovic pranoi se të burgosurit në Manjaça ishin rrahur, por tha se kjo ishte bërë nga policë të rregullt ose policë ushtarakë, të cilët silleshin në mënyrë të papërgjegjshme dhe u hoqën pikërisht për këtë arsye.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: