TIRANE–Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se Shqipëria ka përfunduar me sukses të plotë asgjësimin e 17 tonë municioneve të ardhura nga Mali i Zi.


Mësohet se ky proces u krye në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit dhe është i një rëndësie të veçantë, pasi e kthen Shqipërinë në një qendër të specializuar demontimi, duke rritur njëkohësisht mundësinë për hapjen e vendeve të reja të punës.


Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë inspektimit që bëri në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, u shpreh mjaft optimiste për mundësitë që i ofrohen qeverisë shqiptare me përfundimin e suksesshëm të këtij projekti pilot.


Gjatë zhvillimit të këtij projekti, u realizua asgjësimi i 17 tonë municion i ardhur nga Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar për këtë qëllim midis dy palëve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vlen të theksohet se për zbatimin e këtij projekti nga punonjësit e Uzinës në Mjekës u ndoqën me shumë rigorozitet rregullat e zbatimit teknik të kushteve dhe normave të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe sipas kërkesave të projektit tonë teknologjik, si dhe në përputhje të plotë me planifikimin nga ana jonë.

(er.nu/BalkanWeb)

Etiketa: