TIRANË- Të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi që të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale në ndërmarrje dhe kompani të ndryshme italiane. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë dhe Ministria e Punës dhe Politikave Sociale italiane janë angazhuar për të çuar më tej bashkëpunimin në fushën e formimit profesional të të rinjve shqiptarë, me qëllim përgatitjen e tyre me përvojën italiane dhe sjelljen më pas të kësaj përvoje në Shqipëri.

Ky angazhim është shprehur sot gjatë takimit që Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi pati me ambasadorin italian në vendin tonë, Massimo Gaiani dhe delegacionin e Ministrisë së Punës së Italisë që e shoqëronte në këtë vizitë. Gjatë takimit u ra dakord që mes dy ministrive të bashkëpunohet më tej për të promovuar instrumentin e praktikës profesionale në Itali, kjo si një vullnet i shprehur më parë edhe në marrëveshjen që ka nënshkruar MMSR-ja me shoqatën e sipërmarrësve italianë të sektorit të lundrimit sportiv dhe porteve turistike.

Më konkretisht, të rinjve shqiptarë të interesuar për t’u aftësuar me përvojë perëndimore do u jepet mundësia të përzgjidhen nga ndërmarrje në Shqipëri që të kryejnë për një periudhë 3 deri 6 mujore praktikë formuese pranë ndërmarrjeve në Itali. Në bazë të kësaj marrëveshje pala italiane, me kërkesën e ndërmarrjeve të përfshira, do të lehtësojnë identifikimin e institucioneve trajnuese në Itali dhe të ndërmarrjes pritëse për punëtorët e zgjedhur. Ndërsa pala shqiptare merr përsipër të sigurojë mbështetje dhe bashkëpunimin e nevojshëm në Shqipëri, në fazën e identifikimit të nevojave profesionale të ndërmarrjeve të përfshira dhe të aftësive teknike për zhvillimin sektorial të profileve të kërkuara në sektorin e lundrimit dhe kantiereve të barkave.

Pas takimit, ministri Klosi dhe ambasadori Gaiani konfirmuan vullnetin për të bashkëpunuar në këtë drejtim edhe në një deklaratë për mediat. “Po ashtu, me ambasadorin dhe me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Punës folëm për një marrëveshje të re që do të ndërmarrim me Ministrinë e Punës, për mundësinë e punësimit profesional”, tha ministri Klosi. Gjithashtu, ai shtoi se ministria italiane nëpërmjet ambasadorit mirëpriti propozimin për të garantuar mbështetje për disa projekte konkrete që kanë të bëjnë me disa shkolla të reja në gjithë Shqipërinë dhe forcimin e sistemit të arsimit profesional shqiptar.

Ndërsa, ambasadori Gaiani, në emër të palës italiane, theksoi gatishmërinë e qeverisë italiane për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi me qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve shqiptarë. “Sigurisht, një nga temat kryesore të takimit ishte edukimi apo formimi profesional i të rinjve shqiptarë të cilët dëshirojnë më tej të gjejnë punësim në Shqipëri. Dhe besoj se në të ardhmen ky bashkëpunim do të forcohet”, u shpreh ambasadori Gaiani. Gjithashtu, në këtë takim u ra dakord edhe për zhvillimin e një vizite të ministrit Klosi në Itali, me qëllim intensifikimin e marrëdhënieve mes dy qeverive në fushën e arsimit profesional.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb