Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka deklaruar se të gjithë ata që duan që Mali i Zi të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilët nuk duan që të anulohet Traktati Themeltar dhe të ndalet rruga evropiane e vendit, nuk do ta mbështesin mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Abazoviç u shpreh se sa i përket seancës së Kuvendit të 19 gushtit, “gjendja është e qartë”.
“Jam i relaksuar dhe pres 19 gushtin, qeveria i ka zbatuar të gjitha detyrimet nga marrëveshja, kanë mbetur edhe tre pika që janë në kompetencë të Parlamentit, nëse dikush do ta kthejë mekanizmin në duart e atyre që duan destabilizimin për shkak të qendrave financiare, kjo nënkupton përgjegjësi. Nëse qeveria nuk bie të hënën, do të kryhet një riformatim”, tha ai.
Kryeministri malazez tha se pjesë e rindërtimit të Qeverisë, nëse nuk bie të premten, ftohen të gjithë përveç atyre që e përjashtuan veten, duke iu referuar Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe Partisë Socialdemokrate (SDP).
“Këta janë ata që kanë dorëzuar mocionin sepse nuk kanë përballuar vendimet e vështira të Qeverisë”, tha kryeministri.
Ai ftoi “të gjithë të tjerët” të marrin pjesë në rindërtim, duke theksuar partitë e pakicës, Malin e Zi Demokratik dhe Frontin Demokratik (DF).
“Të gjithë ata që duan që ne të kemi prioritet luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përgatitjen e zgjedhjeve që duhet të mbahen dhe do të mbahen së shpejti. Të gjithë ata që duan që ne të ndjekim rrugën e stabilizimit dhe pajtimit do të ftohen”, tha ai.
Ai u shpreh se nëse qeveria bie, “URA” shkon me gjithë zemër në opozitë.
Abazovic tha se nuk e ka problem që dikush tjetër të jetë kryeministër, por se aktin e dhënies së mandatit e konsideron “të papërgjegjshëm”.
“Nëse qeveria bie, mekanizmi i kthehet Milo Gjukanoviçit, nëse duhet të përcaktojmë fatin e Malit të Zi në atë mënyrë që të përdorim vullnetin e mirë të Milo Gjukanoviçit për t’ia dhënë mandatin e ardhshëm kolegut Beçiç apo një kolegu tjetër, mendoj se është diçka e papërgjegjshme sidomos për momentin.
Ndaj apeli im është të shkojmë në rrugën e rindërtimit”, u shpreh kreu i qeverisë malazeze.
(BalkanWeb)