Deputetja Ina Zhupa i ka drejtuar një thirrje Prokurorisë që të mos ndërmarrin asnjë hetim ndaj gazetarëve dhe mediave që zbuluan detajet tronditëse nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, pak metra nga shkolla Fan Noli, ku ata ishin nxënës.
Reagimi i Zhupës vjen pas një deklarate nga deputeti socialist Erion Braçe, sipas të cilit raportimet e mediave lidhur me ngjarjen janë një model dizinformimi.
“Ngjarja në Tiranë pranë një shkolle ka sjellë në vëmendje këtë gjë. Prokuroria po bën çfarë është e mundur për ti shkuar në fund krimit. Nisur nga informacionet që u ndanë i kemi kërkuar prokurorisë të hetojë deri në fund një rast model dezinformimi që i është bashkëngjitur atij krimi. Një rast shumë i qartë dezinformimi me synim të qartë politik që vazhdon. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti, të dezinformimit. Në raport me SPAK, BKH dhe me atakun e drejtpërdrejtë apo përfshirjen në ngjarje të këtyre institucioneve”, tha Braçe.
Ndërkohë deputetja demokrate i bëri thirrje organeve ligjzbatuese mos ndërmarrin veprime ndaj mediave me urdhër politik të Braces dhe mos bëhen mashë e qëllimeve politike të një mazhorance të kalbur.
“Kjo ështe krisma e parë e një fushate të egër që do zhvillohet ndaj medias së lirë në prag të zgjedhjeve të vitit 2025.
Ne do qëndrojmë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias me çdo kusht”, shprehet Zhupa.
Postimi nga Ina Zhupa
Edi Rama dhe të tijët nxjerrin kokën, hapin luftën ndaj medias që flet kundër pushtetit dhe i kërcënojnë me ndjekje penale.
Kryetari i Deziformimit Brace, sot është shprehur se “i ka kërkuar prokurorisë nisjen e hetimeve në lidhje me raportimet e mediave për vrasjen e një 14-vjeçari pranë një shkolle në Tiranë”.
Sic e kishim paralajmëruar komisioni i dezinformimit nuk kishte lidhje me penetrimin e propagandës që lidhej me Rusinë e me Kinën por me sorrugato diktatorin tonë Rama që do të kontrolloj mediat dhe ti persekutoj ato që nuk kontrollon dot.
Pikërisht ato media qe nuk ndjekin fije për pe mashtrimet e rradhës së komunikatës së policisë së shtetit, që i japin zë familjes së djalit të plagosur Luisit, që kërkojnë mos manipulimin e ngjarjes dhe drejtësi, ato media sot u kërcënuan me ndjekje penale nga Erjon Brace.
Hetim dhe ndjekje penale kur lajmet nuk ju pëlqejnë mbi punën e organeve të qeverisjes, për ato media që guxojnë të mos mbyllin sytë para dëshmitarëve.
Komuniteti ndërkombëtar duhet ta shikoj dhe ta dëgjoj që të gjitha paralajmërimet që i kemi thënë privatisht dhe publikisht po vërtetohen. Po krijohet një precendent i rrezikshëm që con në burgosjen e gazetarëve dhe mbylljen e mediave vetëm se publikojnë fakte, dëshmi të ndryshme nga ato që thotë qeveria.
I bëj thirrje organeve ligjzbatuese mos ndërmarrin veprime ndaj mediave me urdhër politik të Braces dhe mos bëhen mashë e qëllimeve politike të një mazhorance të kalbur.
Kjo ështe krisma e parë e një fushate të egër që do zhvillohet ndaj medias së lirë në prag të zgjedhjeve të vitit 2025.
Ne do qëndrojmë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias me çdo kusht.