Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka parashikuar një skemë të re të drejtimit të Partisë duke rishikuar ndarjen dhe funksionet e strukturave drejtuese që pritet të zgjidhen sot nga Këshilli Kombëtar. Një ditë më parë ai shpalli kandidaturat për sekretariatin dhe Kryesinë e re të PD-së.
Burime brenda PD, shpjegojnë, se nisur dhe nga emrat, Basha po ndjek modelin e partive të djathta europiane si CDU dhe Konservatorët Britanikë, gjë e cila në fakt u bë e njohur që me ndryshimet statutore në prill.

Thelbi i këtij modeli të ri është ndarja e qartë e profileve të forumeve drejtuese. Kështu, sekretariati do të jetë me funksione krejtësisht partiake. Sekretarët do të merren vetëm me çështje të brendshme të partisë, duke kopjuar në një farë mënyrë atë që konservatorët anglezë e quajnë “partia profesionale”.

Nga ana tjetër, kryesia e grupit parlamentar dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare do të përbëjnë atë që quhet “partia parlamentare” dhe që drejton aksionin politik në pushtetin legjislativ. Ndërkohë, Kryesia e re e partisë do të kryejë funksionet e asaj që shihet si pjesa ose “partia politike” e përbërë nga figura politike të profilizuar në fusha të ndryshme dhe që do të jenë njëkohësisht aktivë në terren. Në të do të duhet të përfshihen politikanë që mund të jenë njëkohësisht dhe pjesë e grupit parlamentar ose jo dhe që do të drejtojnë komunikimin politik të partisë.

Sekretariati funksional do të punojë në varësi të Sekretarit të Përgjithshëm, ndërsa për çështje te politikave të partisë Basha ka menduar të ketë një ekip me bashkëpunëtorë të afërt dhe profil të lartë politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb