Një grup shkencëtarësh nga Kina kanë eksperimentuar modifikimin gjenetik tek embrionet njerëzore për të eliminuar fragmentet e sëmura të ADN-së që pa lindur. Zbulimi megjithatë ka shkaktuar debate

Shkencëtarët kinezë kanë ndryshuar për herë të parë gjenet në embrionin njerëzor. Lajmërimi konfirmon zërat se disa shkencëtarë kanë kryer eksperimente të dyshimta nga ana etike. Të tjerë shkencëtarë kanë reaguar të tmerruar ndaj idesë, me frikën se mund të keqpërdoret për t’i lejuar prindërit të ‘përzgjedhin’ gjenet që do t’u kalojnë brezave të ardhshëm.

Megjithatë, disa argumentojnë se teknologjia mund të përdoret gjithashtu për të hequr qafe sëmundje të trashëgueshme si kanceri apo të tjera.

Kërkuesit nga Universiteti Sun Yat-sen në Guangzho e kanë publikuar kërkimin e tyre në revistën “Proteinë dhe qelizë”. Sipas raportit në fjalë, shkencëtarët e drejtuar prej Junjiu Huang, u përpoqën të ulin numrin e shqetësimeve duke përdorur embrione që nuk kishin shanse për lindje të suksesshme.

Skuadra u përpoq të shkulë gjenin përgjegjës për talaseminë, një sëmundje gjaku vdekjeprurëse, duke përdorur një teknikë rregullatore të quajtur CRISPR/Cas9.

Por kërkuesit e përfshirë thanë se rezultatet e tyre tregonin mangësi serioze në përdorimin e teknikës tek embrionet njerëzore.

Teknologjia CRISPR ndryshon pjesë të shënjestruara të kodit gjenetik. Ndryshe nga mjetet e tjera të çaktivizimit gjenetik, sistemi CRISPR shënjestron burimin material të gjenomit dhe çaktivizon gjenet në nivel ADN-je.

Prerja e ADN-së imiton llojet e mutacionit që ndodhin natyralisht, për shembull pas ekspozimit kronik në diell. Por ndryshe nga rrezet ultravioletë, kjo teknologji është më e saktë në vendndodhjen e gjenomit.

Grupi i Huangut studioi aftësinë e sistemit CRISPR/Cas9 për të rregulluar gjenin e quajtur HBB. Skuadra injektoi 86 embrione dhe priti dy ditë që teknologjia CRISPR të funksionojë. Sipas raportimit, 71 embrione mbijetuan, 54 prej të cilëve u testuan gjenetikisht.

Testet zbuluan se 28 u ngjitën me sukses, por vetëm disa prej tyre e ruajtën materialin gjenetik të zëvendësimit.

“Nëse duam ta bëjmë në embrionet normale, duhet të jemi gati 100 për qind të sigurt”, tha Huang për revistën “Natyra”. “Kjo është arsyeja përse ndaluam. Mendojmë se është ende shpejt”.

Deri më tani, shkencëtarët janë përqendruar në përdorimin e teknikave të rregullimit të gjenomeve te qelizat somatike – qelizat jo riprodhuese si ato të gjetura në lëkurë, muskuj, nerva, kockë dhe mëlçi, në mënyrë që të ndihmojnë në studimin e sëmundjeve.

Modifikimi i ADN-së në embrionet njerëzore do të thotë se alternime sipas pëlqimit mund të bëhen te brezat e ardhshëm. Një punë e tillë është tashmë e paligjshme në shumë vende kudo në botë, por është e lejuar në SHBA dhe Kinë.

Një numër i grupeve të tjera të shkencëtarëve nëpër botë mendohet se po punojnë për të gjetur teknika që modifikojnë gjenetikisht embrionet njerëzore.

Xingxu Huang, nga Universiteti Teknologjik i Shangait në Kinë, ka kërkuar leje për të performuar teknikën mbi embrionet e dështuara, pasi ia ka dalë ta përdorë me sukses tek embrionet e majmunëve që sollën kafshë të reja.

Profesor George Church, një gjenetist në Shkollën e Mjekësisë së Harvardit, gjithashtu thuhet se ka projektuar teknika që mund të përdoren për të modifikuar embrione njerëzore.

Shkencëtarët kanë propozuar përdorimin e qelizave të papjekura nga vezoret e marra prej grave që i nënshtrohen operacionit për kancerin ovarian.

Veza e papjekur do të rritet dhe do të ndahet përpara se një teknikë e rregullimit teknologjik, e njohur si CRISPR, të përdoret për të korrektuar gabimet gjenetike që shkaktojnë kancerin ovarian.

Megjithatë, projekti nuk është ende në rrugën e duhur dhe nuk dihet të jetë aprovuar.

Muajin e shkuar, një grup biologësh bënë thirrje për një moratorium botëror, pasi dolën fjalë se po bëheshin eksperimente me embrione njerëzore në Kinë.

Sipas Edward Lanphier, kryetar i Aleancës për Mjekësinë Rigjeneruese në Uashington DC dhe katër kolegëve të tij, shkruan në revistën “Natyra” se një kërkim i tillë mund të dëmtonte zona të tjera të shkencës, duke provokuar zemërim te publiku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: