TIRANË

Shefja për politikën të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini i ka dhënë gjithë mbështetjen e saj kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve shqiptare. Gjatë konferencës për media me kryeministrin, Mogherini deklaroi se Shqipëria ka sjellë rezultate konkrete me reformat, duke përmenduar atë në drejtësi, për të cilën tha se vendi është shembull edhe për vende anëtare të BE-së.

Për Mogherinin Shqipëria duhet ta marrë çeljen e negociatave por se tani është në dorën e vendeve anëtare.

Ajo iu ka kërkuar palëve politike të jenë të bashkuara për të marrë vendimin pozitiv për çeljen e negociatave dhe t’i lënë mënjanë ndasitë. Madje Mogherini theksoi se qytetarët nuk duhet të privohen nga zgjedhjet vendore, duke iu referuar atyre të 30 qershorit.

“Për mua kënaqësi që jam kthyer në Tiranë, kënaqësi që takohemi pas Berlinit. para një viti kam qenë në vizitën e fundit. Mbaj mend dhe emocionet për të sjellë lajmin e mirë të rekomandimit pozitiv që kishte miratuar KE. Pikërisht në këtë sallë ju përgëzova ju si kryeministër por dhe të gjitha institucionet.
Ju keni arritur ta konsolidoni këtë ecuri dhe vazhdoni të tregoni rezultate konkrete të reformave. Dëshiroj t’ju përgëzoj për punën që keni bërë për 3 zhvillime kryesore. Ju po kaloni tashmë një proces të qenësishëm të reformës në drejtësi. Transformimi jo vetëm për të kënaqur institucionet e BE-së por pritshmëritë e qytetarëve.
Ajo që është arritur me reformën në drejtësi mbetet e paprecedentë jo vetëm në këtë rajon. Ju keni arritur që të keni një reformë në sistemin e drejtësisë që do të ishte shembull dhe për disa shtete anëtare të BE-së në një proces që nuk ka qenë i lehtë. Vettingu ka sjellë rezultate të prekshme.
Ne e shohim se sa krenarë janë qytetarët për këtë reformë. 80% e qytetarëve e mbështesin këtë reformë.
Ka pasur një sërë operacionesh të mëdha që kanë ndihmuar në shpërbërjen e grupeve kriminale.
Është përgjegjësia jonë të njohim arritjet që janë bërë dhe t’u përgjigjemi pozitivisht. Topi do të kalojë tek shtetet anëtare dhe këshilli. Çelja e negociatave në qershor objektiv i arritshëm por nuk duhet marrë i mirëqenë. Opinioni publik në ato vende duhet të jetë mbështetës. Ky është objektivi ynë i përbashkët, që shtetet anëtare t’i njohin arritjet. Inkurajoj të gjithë në Shqipëri jo vetëm kryeministrin që duket se nuk kanë nevojë por edhe institucionet.
Kjo përpjekje kolektive kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara dhe për këtë gjë të lihen mënjanë ndasitë. Ju e dini që BE e ka përsëritur ngahera qëndrimin e vet. Ne besojmë që partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën përgjegjësive. Qytetarët të mos privohen nga zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është një mesazh i fortë dhe i bashkuar i gjithë institucioneve të BE-së.
88% e qyt shqiptarë ka një ndjesi pozitive ndaj BE-së. 92% e shqiptarëve ndajnë të njëjtin objektiv anëtarësimin në BE dhe kjo ngarkon me përgjegjësi të gjithë udhëheqësit politikë.
Për mua në një farë mënyre kjo është mënyra më e mirë për të festuar ditën e Europës nesër. Jam krenare që ditën e Evropës do ta festoj në Tiranë. Tek unë mund të mbështeteni. Në interesin e BE-së që ta fillojmë procesin e negociatave”, deklaroi Mogherini.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: