Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit, Grigels Muçollari ka reaguar pas protestës së opozitës të zhvilluar përpara Bashkisë së Tiranës, e 10-ta radhazi. Protestat e Opozitës, Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe aktivistëve përpara Bashkisë, pas zbulimit të disa aferave të rënda korruptive të Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, janë shoqëruar me disa simbolika, shprehet Muçollari përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sot u dogjën goma, ndërsa në protestat e kaluara janë hedhur molotov, tymuese e flakadanë.

Muçollari shprehet se qytetarët kanë të drejtë të shprehen të revoltuar kur zyrtarët kapen duke vjedhur, shkelin besimin e njerëzve si dhe e kthejnë detyrën për të cilën paguhen nga taksat, në post përfitimi personal. “Flaka mbron qytetin. Flakadanët dhe zjarri i gomave përndryshe nga sa tentojnë ti fryjnë mbështetësit e Veliajt në publik, në të vërtetë janë shkendijat që mbrojnë Bashkinë. E mbrojnë Bashkinë pasi vendosin një standard të ri në qytet. Kushdo tjetër që do të shkelë në atë zyrë, duhet ta dijë mirë se po vodhi qytetarët, po vodhi taksat e tyre, po shkeli në besimin e njerëzve, po e ktheu detyrën në post përfitimi, e pret ai reagim“, shprehet Muçollari në rrjetet sociale.

Postimi i plotë:

Flaka që mbron qytetin

Protestat e Opozitës, të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe aktivistëve përpara Bashkisë, pas zbulimit të disa aferave të rënda korruptive të Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, janë shoqëruar me disa simbolika.

Një nga ato ka qenë hedhja e disa flakadanëve, apo djegia e gomave. Zemërimi i njerëzve kur kryetari i Bashkisë kapet duke vjedhur dhe nuk mban asnjë përgjegjësi, nuk largohet e nuk kërkon falje, madje më keq sulmon e shfaqet arrogant, nuk ka se si të shprehet me lule e me përqafime.

Duhet theksuar se këto lloj simbolikash janë drejtuar gjithnjë nga dyert e Bashkisë e muret e saj, dhe asnjëherë nuk kanë sjellë dëme në njerëz. Madje protestuesit dhe organizatorët janë kujdesur gjithnjë për policët e urdhëruar të mbrojnë Veliajn, deri dhe në asistencë mjekësore kur dikush nga ata nuk është ndjerë mirë.

Më paqësore e më civile se kaq një protestë nuk ka si të jetë.

Flakadanët dhe zjarri i gomave përndryshe nga sa tentojnë ti fryjnë mbështetësit e Veliajt në publik, në të vërtetë janë shkendijat që mbrojnë Bashkinë.

E mbrojnë Bashkinë pasi vendosin një standard të ri në qytet. Kushdo tjetër që do të shkelë në atë zyrë, duhet ta dijë mirë se po vodhi qytetarët, po vodhi taksat e tyre, po shkeli në besimin e njerëzve, po e ktheu detyrën në post përfitimi, e pret ai reagim.

Në këtë kuptim zjarri në protestë është sot gardiani më i mirë i qytetit, i interesit publik dhe i taksapaguesve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb