Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar ditën e sotme lidhur me incidentin para Bashkisë së Tiranës, ku gazetarë dhe përfaqësues të medias u rrezikuan si pasojë e përdorimit të molotovit nga protestuesit.

Në reagimin zyrtar UGSH shprehet se ky incident përbën një pakujdesi për të cilën organizatorët duhet të ndiejnë përgjegjësi.

UGSH shton se punonjësit e mediave janë në shërbim të interesit publik dhe në situata të tilla çdo protestues duhet të mundësojë dhe ndihmojë çdo gazetar dhe operator, ndërsa organizatorët kanë përgjegjësi jo vetëm morale për të mbrojtur dhe lehtësuar misionin e çdo punonjësi të mediave.

Reagimi i plotë:

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Incidenti i sotëm me molotov mbi gazetarët dhe operatorët duhet të rritë përgjegjësinë e organizatorëve dhe forcave të sigurisë

Tiranë më 28 Maj 2024

Incidenti i ndodhur gjatë protestës së paradites së sotme, më 28 Maj 2024, të opozitarëve politikë, para selisë së Bashkisë së Tiranës, kur nga pakujdesia një shishe molotov shpërtheu duke rënë tek gazetarët dhe operatorët e mediave, përbën një pakujdesi për të cilën organizatorët duhet të ndiejnë përgjegjësi. Punonjësit e mediave janë në shërbim të interesit publik dhe në situata të tilla çdo protestues duhet të mundësojë dhe ndihmojë çdo gazetar dhe operator, ndërsa organizatorët kanë përgjegjësi jo vetëm morale për të mbrojtur dhe lehtësuar misionin e çdo punonjësi të mediave.

Rasti i ndodhur sot dëshmon një mungesë kujdesi dhe riskun pranë të cilit ndodhen gazetarët dhe operatorët në protesta të cilat mbartin dhunë apo agresivitet protestuesish.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apelon që forcat e sigurisë dhe organizatorët e tubimeve apo protestave të ndryshme, të respektojnë maksimalisht mbrojtjen e integritetit fizik të gazetarëve dhe të respektojnë lirinë raportuese dhe pasqyruese të tyre. Autorët e kësaj pakujdesie që riskoi qenien fizike të disa kolegëve, të vihen para përgjegjësisë ligjore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb