Në 15 tetor 2024 do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, takim që do të zhvillohet në Luksemburg.

Kjo konferencë do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për Klasterin 1, ku përfshihen kapitujt dhe fushat e mëposhtme:

-Funksionimi i institucioneve demokratike
-Reforma e administratës publike
-Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
-Kriteret ekonomike
-Kapitulli 5 – Prokurimi publik
-Kapitulli 18 – Statistikat
-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Ministri i Jashtëm Igli Hasani tha se në këtë takim Shqipëria shkon e mirëorganizuar, e qartë në atë që kërkon dhe e bindur që do të përfaqësojë vlerat më të mirat të vetat. Kreu i diplomacisë tha se ky moment duhet konsideruar si historik nga të gjithë shqiptarët.

“Kemi plotësuar pjesën më të madhe të detyrimeve, moment historik që duhet konsideruar si i tillë nga të gjithë shqiptarët. Do hapen kapitujt dhe ky është momenti më i rëndësishëm i Shqipërisë me familjen europiane”, tha Hasani.

Kapitujt negociues ndahen në 6 grupime tematike: Bazat; tregu i brendshëm; konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni dhe marrëdhëniet e jashtme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb