Një moment historik për stomatologjinë: një robot plotësisht autonom, i kontrolluar nga inteligjenca artificiale, ka kryer për herë të parë një procedurë të plotë dentare te një pacient, rreth tetë herë më shpejt se një dentist njerëzor. Kjo teknologji e re jo vetëm që përshpejton procesin, por eliminon edhe rrezatimin e dëmshëm të rrezeve X, duke përdorur teknologjinë OCT, e cila krijon modele me rreze drite dhe zbulon kavitetet me një saktësi prej rreth 90%.

Në këtë fazë, dentisti dhe pacienti mund të diskutojnë për atë që duhet bërë, dhe pasi vendimet të merren, roboti stomatolog merr kontrollin. Ai planifikon operacionin dhe më pas e realizon me saktësi. Procedura e parë që ky robot kryen me sukses është përgatitja e një dhëmbi për kurorë dentare. Në përgjithësi, kjo procedurë zgjat rreth dy orë dhe kërkon dy vizita tek dentisti, por roboti e përfundoi në rreth 15 minuta.

Perceptive, kompania që ka zhvilluar këtë teknologji, pretendon se roboti është i aftë të punojë edhe në kushte kur pacienti lëviz, dhe testet e kryera kanë treguar se teknologjia është e sigurt. “Jemi të lumtur që kemi përfunduar me sukses procedurën e parë dentare plotësisht të automatizuar në botë,” thotë Dr. Chris Ciriello, CEO i Perceptive. “Ky përparim mjekësor rrit saktësinë dhe efikasitetin e procedurave dentare dhe përmirëson aksesin në kujdes më të mirë dentar.”

Dentistët si Dr. Karim Zaklama, që është pjesë e bordit këshillues të kompanisë, mendojnë se kjo teknologji do të transformojë stomatologjinë. Ai thotë se imazhet me detaje të larta të skanerit intraoral do të ndihmojnë në diagnostikimin e problemeve më herët dhe më saktë, ndërsa pacientët do të përfitojnë nga një eksperiencë më e shpejtë dhe më komode.

Edhe pse ideja e një roboti që punon në dhëmbët tuaj mund të jetë e frikshme, përparimet në kirurgjinë robotike po bëhen me hapa të shpejtë. Sistemet robotike me precizion të lartë tashmë po përdoren në kirurgjinë njerëzore, dhe me kalimin e kohës, këto teknologji po evoluojnë drejt autonomisë së plotë.

Një përfitim dukshëm madhor është koha që kursen. Në vend të dy seancave prej një ore, roboti mund t’ju mbajë në karrige për vetëm 15 minuta. Kjo jo vetëm që do të lehtësojë stresin e pacientit, por mund të ulë edhe kostot dentare, pasi do të kursehet shumë kohë.

Sidoqoftë, roboti ende nuk është miratuar nga FDA dhe nuk ka një afat kohor për daljen e tij në treg, kështu që mund të duhen disa vite para se publiku të ketë akses në këtë lloj trajtimi. Megjithatë, kompania është në punë e sipër për të zgjeruar aftësitë e robotit dhe për të mbuluar më shumë procedura në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: