Nisi sot në Tiranë takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të A5, ndërsa Shqipëria ka kryesimin e nismës SHBA-Karta e Atlantikut. SHBA përfaqësohen në këtë takim me zv.asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, Laura Cooper. Në nisje të takimit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka theksoi se prioritet kryesor i Shqipërisë mbetet politika e dyerve të hapura.

Xhaçka u shprehur se ky ministerial përkon me një moment të vështirë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë.

“Është një moment i vështirë për shkak të sfidave që kemi përpara por dhe për shkak të humbjeve tragjike që u shënuan si pasojë e tërmetit por edhe për shkak të të lënduarve dhe dëmeve materiale. Në të gjitha institucionet dhe veçanërisht për Ministrinë e Mbrojtjes kanë qenë ditë të punë të jashtëzakonshme për menaxhimin e situatës. Kanë qenë ditë me shumë dhimbje, shumë lodhje e punë por kanë qenë edhe ditë që na bëjnë të ndihemi krenarë për atë që përfaqësojnë sot Forcat e Armatosura, për djemtë dhe vajzat që kanë bërë një punë të shkëlqyer në kushte teje të vështira”, tha ajo.

“Pati dhe momente ku mbajtja e këtij ministeriali u vu në pikëpyetje apo diskutim por në fund vendosëm që ky ministerial të bëhet me patjetër jo se është muaji i fundit që Shqipëria kryeson Kartën e Adriatikut por nuk mund të lejonim një ngjarje sado tragjike të diktonte një agjendë tonën dhe mbi të gjitha se me praninë këtu donim t’u tregonim qytetarëve shqiptarë që nuk janë kurrë vetëm në orët e tyre të vështirësisë”.

Xhaçka falënderoi delegacionet e vendeve të nismës, në emër të qytetarëve shqiptarë për të gjitha ato që kanë bërë për përballimin e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë.
“E kam thanë disa herë që nuk ishte thjesht ndihma, ekspertët çadrat, financat por ideja apo fakti që në një situatë të tillë mund të mbështetesh te miq të mirë ajo që vërtet na dha kurajo të gjithëve në orë të vështira”, tha ajo.

“Që kur Shqipëria mori kryesimin e Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut në janar 2019, ne shpallëm si prioritetin tonë më të madh “Politikën e Dyerve të Hapura”. Morëm përsipër të punojmë e të përpiqemi me çdo mundësi për ta zgjeruar dhe për ta hapur më tej këtë iniciativë. Sot, besoj më shumë se kurrë se kjo është një domosdoshmëri sepse besoj që pikërisht formate si ky hedhin themelet e bashkëpunimit, fuqizimit të marrëdhënieve dhe krijimit të asaj rrjete lidhjesh, miqësish, kontaktesh, që janë aq të rëndësishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në zonën Euro Atlantike”, tha Xhaçka.

“E sigurisht, ky prioritet lidhet ngushtë edhe me atë që është prioriteti tjetër kryesor që ka udhëhequr punën tonë që prej vitit 2008, është forcimi dhe intensifikimi i punës sonë në kuadër të NATO, qoftë përmes angazhimit të përbashkët në misionet dhe operacionet e NATO-s, por edhe duke vijuar pastaj dhe promovimin e qendrave rajonale apo me pjesëmarrjen në stërvitje të përbashkëta si një mënyrë efikase për të testuar kapacitetet tona, për të përfituar njohuri e eksperiencë, por edhe për të zhdërvjelltësuar ndërveprimin mes kapaciteteve të mbrojtjes të të gjithë vendeve anëtare të kësaj iniciative”, shtoi ajo.

“Jam shumë e kënaqur, që gjatë vitit 2019, ia kemi dalë të organizojmë një numër të madh aktivitetesh, në nivel politik, ushtarak dhe teknik. Besoj që kjo është prova më konkrete që mes nesh ekziston vullneti politik për të bashkëpunuar dhe për të ecur përpara të gjithë së bashku”, vuri në dukje Xhaçka.

“Së fundi, dua të nënvizoj një nga nismat më të rëndësishme të ndërmarra nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë gjatë kryesimit të kësaj iniciative që lidhet me mundësinë e angazhimit në një mision të përbashkët në Irak, në kuadër të NATO, ku Shqipëria do të luajnë rolin e vendit drejtues. Unë dua t’i falënderoj kolegët për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj nisme që ofron një mënyrë shumë të mirë për te maksimizuar impaktin tonë në atë teatër operacionesh”, theksoi ajo.

“Pa dashur t’ju marr shumë kohë, sepse kemi shumë punë për të bërë, por më lejoni ta mbyll fjalën time, duke ju rikthyer një teme që preka në fillim. Roli i A5 ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me promovimin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si një mënyrë për të nxitur dhe çuar përpara procesin e anëtarësimit të disa prej vendeve anëtare në NATO. Besoj fort që iniciativa do të arrijë ta bëjë këtë edhe për vende të tjera. Por gjithmonë e më shumë, e shoh rolin e saj kryesor tek fuqizimi i marrëdhënieve mes nesh, tek nxitja e bashkëpunimit dhe e solidaritetit. E atij solidariteti që ishte e vetmja gjë e bukur në ditët tragjike që pasuan 26 nëntorin dhe që na bëri të kuptojmë se kur jemi të bashkuar mund t’ia dalim të përballojmë çdo sfidë e çdo situatë”, theksoi Xhaçka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb