Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar Hamasit të pranojë një propozim të ri të Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Ai shtoi se ka ardhur koha që kjo të marrë fund.

Propozimi, i cili është i ndarë në tre faza, nis me një armëpushim gjashtë-javor, në të cilin Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) do të tërhiqeshin nga zonat e populluara të Gazës.

Do të kishte gjithashtu një “rritje” të ndihmave humanitare, si dhe një shkëmbim të disa pengjeve për të burgosurit palestinezë.

Marrëveshja përfundimisht do të çonte në një “ndërprerje të përhershme të armiqësive” dhe një plan të madh rindërtimi për Gazën.

Hamasi tha se e sheh propozimin “pozitivisht”.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë të premten, Biden tha se faza e parë e planit të propozuar do të përfshijë një “armëpushim të plotë “, tërheqjen e forcave të IDF nga zonat e populluara dhe shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit palestinezë.

“Ky është me të vërtetë një moment vendimtar. Hamasi thotë se dëshiron një armëpushim. Kjo marrëveshje është një mundësi për të provuar nëse ata e duan vërtet këtë. Armëpushimi do të lejojë më shumë ndihma humanitare të arrijnë në territorin e rrethuar, me 600 kamionë që do të transportojnë ndihma në Gaza çdo ditë”, tha ai.

Faza e dytë do të kthente të gjithë pengjet e mbetur të gjallë, duke përfshirë ushtarët meshkuj.

Në fjalimin e tij, zoti Biden pranoi se negociatat midis fazave një dhe dy do të ishin të vështira.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb