Një numër i madh njerëzish mendojnë se puna e tyre është e padobishme.
Kohët e fundit, kanë qenë të shumta studimet në lidhje me rreziqet e mundshme të automatizimit. Papunësia masive, rënia e nivelit të pagave, pabarazia janë disa nga faktorët kryesorë të cilëve i druhen më së shumit njerëzit kur bëhet fjalë për futjen gjerësisht të automatizimit në industri të ndryshme. Dhe tani kjo frikë është bërë edhe më e madhe dhe e ka kapërcyer luginën e Sillicon Valley, gjë kjo që po shton nga dita në ditë numrin e specialistëve të shqetësuar në këtë drejtim.

Sipas një studimi të fundit të kryer në Universitetin e Oksfordit, rreth 47% e të gjitha punëve amerikane dhe 54% e atyre në Europë janë në një rrezik të madh për t’u pushtuar makineritë e automatizuara. Dhe më e keqja është se kjo gjë mund të ndodhë në një periudhë të afërt kohore, mbase në 20 vitet e ardhshme.

“I vetmi ndryshim i vërtetë midis entuziastëve dhe skeptikëve është struktura kohore” vë në dukje një profesor i Universitetit të Nju Jorkut. “Por pasi të ketë kaluar një shekull nga tani, askujt nuk do t’i interesojë më se sa kohë iu desh vënies në jetë të këtij procesi, por të gjithë do të jenë të përqendruar në atë çka do të ndodhë më pas”.

Punonjësit kanë qenë të shqetësuar për trendin në rritje të valës së ardhshme të automatizimit që këtu e 200 vite më parë, dhe gjatë kësaj periudhe punëdhënësit janë munduar që t’i qetësojnë ata duke i thënë se vendet e reja të punës do të krijohen aq natyrshëm sa ata nuk do ta kuptojnë fare.
Edhe shifrat tregojnë të njëjtën gjë. Në vitet 1800, rreth 74% e të gjithë amerikanëve ishin fermerë, ndërsa në vitet 1900 kjo shifër u ul në 31% dhe në vitin 2000 në vetëm 3%.
Megjithatë, një gjë e tillë ka çuar në një rritje të papunësisë.

Në vitin 1930, ekonomisti i famshëm, John Maynard Keynes, parashikoi se të gjithë do të punojnë vetëm 15 orë në javë deri në vitin 2030. Megjithatë, që nga viti 1980, njerëzit po kalojnë shumë kohë në punë, madje aq shumë saqë ajo po ua “merr shpirtin”.
Ndërkohë pyetja e saktë që ne duhet të bëjmë në këtë kontekst është se “Çfarë është puna në të vërtetë?”

Në një sondazh të 2013 të kryer nga 12,000 profesionistë nga Harvard Business Review, gjysma thanë se ndienin se puna e tyre nuk kishte një “domethënie të caktuar dhe madje e parëndësishme”. Ndërsa sipas një sondazhi tjetër të kryer me 230,000 punonjës në 142 vende, u arrit në përfundimin se vetëm 13% e punonjësve e pëlqejnë punën që bëjnë.
Fatkeqësisht, në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 37% e punonjësve mendojnë kanë një punë që është krejtësisht e padobishme.

Ata kanë, ato që sipas antropologut, David Graeber, cilësohen si “punë të padobishme”. E megjithatë ka disa profesionistë të suksesshëm dhe me paga mbresëlënëse të cilët kur kthehen në shtëpi pas një ditë të lodhshme, murmurisin nën zë se puna e tyre nuk i shërben askujt dhe është e padobishme dhe pa kurrfarë qëllimi.

Por le t’i qartësojmë gjërat: Këtu nuk po diskutohet për punëtorët e kanalizimeve, mësuesit dhe infermierët e botës. Nëse këta njerëz do të shkonin në grevë, ne do të kalonim padyshim në një situatë emergjente. Këtu po diskutohet për ushtrinë në rritje të bankierëve, konsulentëve tatimorë, menaxherëve dhe të shumë të tjerëve të këtyre kategorive.

Por a do të ketë ende vende pune për të gjithë pas disa dekadash nga tani? Kushdo që i frikësohet papunësisë masive, nënvlerëson aftësinë e jashtëzakonshme të kapitalizmit për të krijuar vende të reja pune. Nëse duam të marrim me të vërtetë shpërblimet e zhvillimeve të mëdha teknologjike të bëra në dekadat e fundit (dhe të robotëve), atëherë ne duhet të rishikojmë rrënjësisht përkufizimin ne kemi mbi “punën”.

Paradoksi i progresit
Gjithçka fillon me një pyetje shumë të vjetër: Cili është kuptimi i jetës?
Një numër i madh njerëzish do të përgjigjeshin se kuptimi i jetës për ta është që ta bëjnë botën pak më të bukur, pak më të këndshme, pak më interesante. Por në çfarë mënyre, si mund të arrihet një gjë e tillë? Përgjigjja e ditëve të sotme është: nëpërmjet punës. Gjithsesi, përkufizimi ynë mbi punën është shumë i ngushtë.

Vetëm puna që gjeneron para, mund të llogaritet për të parë sesa ka rritur PBB-ja.
Megjithatë, çfarë ndodh kur një numër në rritje njerëzish që konsiderohen të suksesshëm, shprehen se puna e tyre është e pakuptimtë dhe e padobishme?

Kjo është një prej çudive më të mëdha të kohës sonë. E gjithë kjo përpjekje e jona për të gjetur kuptimin e vërtetë të saj mund të shpërbëhet në një sekondë, tamam si tymi i cigares. Çfarë është ironike në këtë drejtim është se përparimi teknologjik vetëm sa po e përkeqëson këtë krizë.

Sa më shumë produktive që të bëhet bujqësia dhe industria, aq më pak njerëz do të punësohen. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne quajmë “paradoks i progresit”. Sa më të pasur bëhemi aq më shumë ne e shpenzojnë kohën tonë duke u marrë me gjera të panevojshme. Ashtu siç ka thënë në një deklaratë për shtyp dikur aktori i njohur, Brad Pitt, gjithnjë e më shumë ne po bëjmë punë të cilat i urrejmë.
Mbase ka ardhur momenti i duhur që ne ta bëjmë debatin tonë më konstruktiv duke u nisur nga pyetja: Çfarë ndryshimi do të pësonte ekonomia nëse ne do të ndryshonim përcaktimin e punës? Besohet se një e ardhur bazike universale është përgjigjja e duhur në lidhje me dilemën e avancimit të robotizimit. Jo sepse robotët do të marrin përsipër të gjitha punët e mundshme, por sepse të ardhurat bazë do t’u jepnin të gjithëve mundësinë për të bërë një punë që do të kishte kuptim.

Në një të ardhme të afërt besohet se rëndësia e punës nuk do të përcaktohet nga vlera e pagës, por nga lumturia që ju merrni prej saj. Besohet gjithashtu se në një të ardhme, puna do të jetë për robotët dhe jeta për njerëzit.

Dhe nëse të ardhurat bazike tingëllojnë utopike për ju, atëherë mund t’ju sjellim ndër mend se çdo moment historik i qytetërimit, nga skllavëria e deri në demokracinë dhe kërkimin e të drejtave të barabarta për burrat dhe gratë, kanë qenë dikur gjithashtu një fantazi utopike. Ose, siç shkruante Oscar Wilde kohë më parë “Progresi është realizimi i utopive”./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: