Për Skënderbeun nuk është aspak një moment i mirë në kampionat. Humbjet që ka pësuar në këto 8 javë e kanë pozicionuar në fundin e tabelës këtë skuadër, me vetëm 7 pikë të grumbulluara. Është ende fillimi i sezonit dhe kohë për rikuperim ka mjaftueshëm, por shenjat e deritanishme flasin për një sezon të komplikuar për ekipin e trajnerit Ivan Gvozdenoviç.

Nëse situata nuk ndryshon, Skënderbeu jo vetëm që nuk mund të pretendojë përfshirjen në “Final 4” si sezonin e kaluar, por do ta ketë të vështirë edhe mbijetesën në Superiore. Kthesa është detyrim për korçarët që në ndeshjen e radhës me Bylisin në transfertë, ku të paktën barazimi do të shërbente si një shtysë për të dalë sa më shpejt nga kriza e rezultateve. Trajneri Gvozdenoviç ka kohën e nevojshme që ta përgatisë ekipi si duhet, sidomos në anën psikologjike, pasi ka në grup shumë lojtarë me moshë të re.

TRE KUQEZINJ – Ngushëllimi i vetëm për klubin korçar në këtë moment është grumbullimi i tre lojtarëve titullarë me Kombëtaren Shpresa. Sulmuesit Ermir Rashica dhe Ardit Nikaj, si dhe mesfushori Dejvid Janaqi, janë pjesë e listës së trajnerit Alban Bushi për ndeshjen kualifikuese me Armeninë, që luhet më 15 tetor në stadiumin “Air Albania” .

Ky është një tregues pozitiv se skuadra korçare ka kualitet në përbërje, pasi asnjë klub tjetër në Superiore nuk ka kaq lojtarë me Shqipërinë U21. Të tre lojtarët e përmendur më sipër kanë bërë paraqitje të mira deri tani me fanellën e Skënderbeut, veçanërisht Rashica, i cili ka shënuar 3 gola. Pritet që sulmuesi kosovar, një nga “xhevahirët” e Skënderbeut, të marrë minuta edhe me fanellën kuqezi. Pas kthimit nga grumbullimi kuqezi këta tre lojtarë pritet që të jenë më të karikuar për ta udhëhequr ekipin e tyre në kampionat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb