Gjergji Kote është stërvitur me ekipin së fundmi, por mbetet në dyshim për Dinamon. Nëse mungon, do të ishte jo pak problem për Abilaliajn, pasi korçari ka treguar se është lojtar kyç. Skuadrës në stërvitje i është bashkuar Gudjufi, i cili mund ta nisë nga stoli. I rikuperuar mund të konsiderohet Altin Bytyçi. Edhe pjesa tjetër e ekipit është e gjitha gati për ta nisur nga minuta e parë.
TEST PËR ABILALIAJN – Prej thuajse dy vitesh, Arbër Abilaliaj ka marrë rolin e drejtorit sportiv të Partizanit, teksa së fundmi i është dashur të kthehet për herë të tretë në stol, duke marrë përkohësisht edhe rolin e trajnerit.
Jemi mësuar që përgjegjësinë e suksesit apo të dështimit të skuadrës ta marrë trajneri dhe në këtë moment që kemi mbërritur mund të themi se Abilaliaj ka detyrën që të shmangë dështimin e një sezoni të komplikuar. Vlonjati ka në drejtim një skuadër, pjesën më të madhe të së cilës e ka ndërtuar vetë dhe tashmë i lind detyra që ta drejtojë në rrugën e duhur në këtë pjesë finale dhe vendimtare të sezonit.