TIRANE- Monika Kryemadhi ka mbledhur sot Kryesinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për herë të parë nga zgjedhja e saj në krye të kësaj force politike. Në fjalën e saj, Kryemadhi u ndal tek manipulimi i votës së 25 qershorit.

Kryetarja e LSI tha se do të kërkohet hetim për të gjitha rastet e shitblerjes së votave për 25 qershorin, pas sipas saj, ka fakte tronditëse për këtë gjë.

“LSI do të vazhdojë të njohë arritje të reja politike dhe elektorale si domosdoshmëri që demokracia në Shqipëri të fuqizohet dhe qytetarët të vendosin sovranitetin mbi qeverisjen dhe institucionet e cenuara nga zgjedhjet pasi maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është fiktive përmes procesit të manipuluar”, tha Kryemadhi.

“Fatet e demokracisë janë më në udhëkryq se asnjë herë tjetër dhe kjo kërkon krijimin e një fronti opozitar pa dallime ideologjike pasi vota e lirë është dhunuar rëndë në mënyrë të strukturuar kriminale në të gjithë vendin. Ndaj kërkoj nga të gjithë ju angazhimin maksimal por t’iu përgjigjur këtij momenti dhe përgjegjësisë politike më të madhe që LSI ka patur ndonjë herë”, shtoi ajo.

Sipas saj, sfida e LSI në vijim do jetë pikërisht denoncimi i shkeljeve që iu bënë procesit elektoral.

“LSI do të vazhdojë me evidentimin e farsës së 25 qershorit, me fakte dhe dokumente të shumta të manipulimit të dhunës policore dhe bandave kriminale që shkaktuan deformimin e rëndë të votës së shqiptarëve në këto 25 vjet. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë faktorin politik dhe qytetarë për përmbushjen e këtij misioni”, tha Kryemadhi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: