GJIROKASTËR- Lëvizja e Gruas për Integrim Gjirokastër zhvilloi Konventën e saj ku u zgjodh dhe Kryetarja e re, Mirela Mamani. Të pranishëm ishin deputetët, Vangjel Tavo, Monika Kryemadhi, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjoshaj, Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami si dhe Kryetari i LSI-së për Gjirokastrën, Krenar Kulla. Gjatë konventës, deputetja Kryemadhi, bashkëshortja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ka kujtuar edhe momentin e krijimit të LSI.

Ministrja e Integrimit dhe njëherësh Kryetare e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha shprehu bindjen se suksesi i LSI-së do të vazhdojë edhe në 2017-ën.

“Puna që ju keni bërë është shumë e madhe. Mos harrojmë që partitë politike nuk kanë qenë kaq të emancipuara ndaj vajzave. Në 2012-ën ne arritëm që në të gjithë instancat tona të kishim 50 për qind gra dhe vajza. Ishte Lëvizja Socialiste për integrim e para forcë politike që mori flamurin për ta kërkuar këtë me forcë. Dhe ne e kemi bërë këtë me bindjen më të plotë se gratë dhe vajzat janë të emancipuara dhe se realisht kanë kapacitetet e duhura për të drejtuar vendin. Shqipëria meriton të jetë pjesë e Europës së bashkuar sepse Gjirokastra meriton të jetë një qytet evropian. Jam e bindur se edhe kryetarja e bashkisë po punon çdo ditë për këtë”, nënvizoi Gjosha.

Deputetja Monika Kryemadhi vlerësoi se LSI do t’i çojë më përpara vlerat sepse Shqipëria ka nevojë për një parti të vërtetë të majtë e cila përfshin dhe përfaqëson shtresat e mesme dhe atë shtresë që është shumica e popullit shqiptar.

“Politika ndonjëherë është shumë e egër, shumë e fortë, por ndonjëherë në momente të caktuara njeriu merr edhe vendime shumë të rëndësishme për jetën. Një nga ato vendime për mua ishte dhe krijimi i LSI-së, një parti e re me disa vlera që ne mendojmë dhe besojmë se LSI duke pasur si bashkëformuese Lëvizjen Rinore për Integrim dhe Lëvizjen e Gruas për Integrim do t’i çojë më tutje. Do t’i çojë më tutje sepse Shqipëria ka nevojë për një parti të vërtetë të majtë e cila përfshin dhe përfaqëson shtresat e mesme dhe atë shtresë që është shumica e popullit shqiptar. Ne kemi nevojë për një largim nga politika e konfliktit. Kemi nevojë për paqe shpirtërore me njëri-tjetrin sepse në fund të fundit, të gjithë provizor jemi në politikë, por e vetmja gjë që nuk është provizore është ky popull, këta njerëz, që e shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe besojnë se ky vend do të bëhet”, tha Kryemadhi.

Deputeti i Qarkut të Gjirokastrës, Vangjel Tavo vlerësoi se roli i gruas është i rëndësishëm edhe në politikë, vendimmarrje dhe drejtim, për këtë arsye LGI është pjesë themeltare në misionin dhe aktivitetin politik të LSI.

“Pesha e madhe shoqërore dhe politike që ju mbani mbi supe meriton një respekt dhe konsideratë të veçantë. LSI, familja jonë e madhe politike, përmes LGI ka dëshmuar rolin jetik dhe rëndësinë e madhe që kanë gratë dhe vajzat në vendimmarrje, punësim, dhe zhvillimin e të gjithë sektorëve të vendit.
LSI e dëshmoi natyrën progresiste dhe frymën evropiane duke përfshirë kuotën prej 50% gra në listën e këshillave bashkiake në mbarë vendin si edhe përfaqësohet sot me dinjitet nga shumë zonja deputete në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Tavo.

Deputeti i LSI-së tha se shumë gra e vajza punojnë sot në sektorët kyç të vendit, duke bërë një punë të shkëlqyer dhe duke kontribuar maksimalisht në zhvillimin e vendit, në shoqërinë dhe politikën tonë.

“Unë jam besimplotë që në sajë të kontributit tuaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, LSI jo vetëm që do vazhdojë të jetë forcë e parë në rang qarku, por do e dyfishojë rezultatin e saj dhe do përfaqësohet me më shumë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Ne besojmë tek njerëzit e thjeshtë.
Pa diskriminim gjinor, krahinor apo social, ndaj edhe njerëzit e thjeshtë besojnë tek LSI-ja”, theksoi Tavo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb