Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme një vendim që përcakton standardet e sigurisë dhe rregullat për sipërfaqet e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore në vendin tonë.

Vendimi gjithashtu rregullon lëvizjen e automjeteve të transportit për lëndët e para dhe produktet finale të subjekteve të licencuara.

Subjektet që kërkojnë licencë për kultivimin e kanabisit mjekësor duhet të përmbushin kritere të rrepta sigurie, si:

– Monitorim të vazhdueshëm me kamera CCTV me rezolucion të lartë dhe ruajtje të të dhënave filmike deri në një vit në serverë “Cloud” brenda BE-së.

– Rrethim me mur betoni 4 metra të lartë, me tela gjembash, për ambientet e hapura dhe të mbrojtura.

– Ruajtje 24-orëshe nga subjekte të specializuara sigurie, të licencuara nga legjislacioni në fuqi.

– Pajisje teknologjike të avancuara për kontrollin dhe detektimin e hyrjeve të paautorizuara.

Vendimi, i propozuar nga ministritë e Brendshme, të Bujqësisë dhe të Shëndetësisë, synon të rregullojë një industri të re duke garantuar siguri në hapat e këtij procesi.

Vendimi i plotë:

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE TË PLANIT TË SIGURISË E TË ELEMENTEVE TË MBROJTJES PËR SIPËRFAQEN PËR KULTIVIM DHE PËRPUNIM TË BIMËS SË CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE RREGULLAVE TË LËVIZJES SË AUTOMJETEVE TË DEDIKUARA TË TRANSPORTIT TË LËNDËVE TË PARA DHE PRODUKTEVE, QË DUHET TË PLOTËSOJNË SUBJEKTET E LICENCUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “d” dhe “e”, të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Ky vendim përcakton standardet e planit të sigurisë dhe elementeve të mbrojtjes për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe rregullat e lëvizjes së automjeteve të dedikuara të transportit të lëndëve të para e të produkteve, që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara.
Ky vendim ka për qëllim miratimin e rregullave për personat juridikë që paraqesin kërkesë për licencë për prodhimin e cannabis-it mjekësor, sipas përcaktimeve të shkronjave “d” dhe “e”, të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Në kuptim të këtij vendimi me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “Ambient i hapur” është ambienti i kultivimit në natyrë pa shtresa mbrojtjeje apo mbuluese.
b) “Ambient i mbrojtur” është një mjedis i kontrolluar dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve, duke i mbrojtur ato nga ndikimet atmosferike të jashtme, si ndryshimet ekstreme të temperaturës, era apo reshjet e shiut. Ky ambient lejon depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën.
c) “Ambient i mbyllur” është një mjedis plotësisht i kontrolluar, i mbuluar dhe izoluar nga ndikimet e jashtme atmosferike, i cili ofron kushte të favorshme për rritjen e bimëve pa depërtimin e rrezatimit natyror diellor. Ky lloj ambienti përdor ndriçim artificial dhe sisteme të kontrolluara për parametrat, si drita, lagështia, temperatura, ventilimi dhe për ndikimin e faktorëve të tjerë të jashtëm, duke siguruar kushte optimale për kultivimin.
ç) “Subjekt i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike” është SHPSF-ja e pajisur me licencë të nënkategorive 1.3.A. dhe 1.3.B ose “Illyrian Guard”, sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin privat të sigurisë fizike.

STANDARDET E PLANIT TË SIGURISË PËR SIPËRFAQEN PËR KULTIVIMIN DHE PËRPUNIMIN E CANNABIS-IT DHE ELEMENTET E MBROJTJES, RRETHIMIT, SIGURISË ME TELEKAMERA DHE SIGURIMIT FIZIK PËR 24 ORË, ELEMENTET PENGUESE PËRPARA HYRJES DHE TEL ME GJEMBA MBI GARDHIN
Subjekti i licencuar në ambientet ku ushtrohet aktiviteti duhet të plotësojë standardet e mëposhtme:
a) Ambientet duhet të jenë të monitoruara në vazhdimësi me sistem të kamerave CCTV, i pajisur me reader të inkorporuar dhe sensorë lëvizjeje, me rezolucion të lartë, prej të paktën 1280 x 720, me rreze infra të kuqe, përfshirë hapësirën 20 metra jashtë rrethimit, e cila duhet të jetë e ndriçuar. Imazhet filmike të sistemit të kamerave duhet të ruhen të paktën për 90 ditë në NRV/Server dhe të paktën për një periudhë 1-vjeçare në memorie “Cloud” me vendndodhje në një nga vendet e BE-së;
b) Sistemi i kamerave CCTV monitoron sipërfaqen, brenda dhe jashtë ambienteve të njësisë së prodhimit, duke u orientuar në mënyrë që të sigurohet identifikim i qartë dhe i sigurt i ambienteve dhe i të gjithë individëve që aksesojnë apo lëvizin brenda tyre apo në ambientet e jashtme pranë rrethimit;
c) Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli);
ç) Në varësi të vlerësimit të rrezikut dhe në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, lidhja e sinjalit të alarmit, në nivel qendror dhe/ose vendor, me sallat e komandimit/informacionit të Policisë së Shtetit;

d) Sipërfaqja ku ushtrohet aktiviteti ruhet 24 orë pa ndërprerje nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike që përfshin dhe shërbim reagimi me grup verifikimi sinjalesh;
dh) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të hapura ose të mbrojtura rrethohet nga jashtë me mur betoni të qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 (njëzet e pesë) cm dhe lartësi 4 m nga toka, mbi të cilin vendoset tel me gjemba;
e) Për rastet kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura, muri i jashtëm i godinës duhet të jetë mur betoni i qëndrueshëm me trashësi të paktën 25 cm;
ë) Hyrja në ambientet e njësisë është e kufizuar dhe mundësohet përmes një porte hekuri që garanton aksesin vetëm për personat dhe mjetet e autorizuara, si dhe monitorohet nga sistemi i kamerave CCTV, të përcaktuara në shkronjën “a” të kësaj pike;

f) Porta e hyrjes kontrollohet nga personel i autorizuar për sigurinë, i cili mban evidencë për çdo hyrje-dalje të personave, automjeteve dhe mallrave;
g) Materialet teknike, të cilat garantojnë sigurinë dhe monitorimin, vendosen në një dhomë të veçantë të dedikuar brenda perimetrit të sipërfaqes ku ushtrohet aktiviteti, në të cilën ka akses vetëm personeli përgjegjës për sigurinë.
Subjekti i licencuar paraqet vetëdeklarim për gatishmërinë për të lidhur marrëveshje me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për të garantuar aksesin për inspektim ndaj shoqërisë private të sigurisë fizike, sipas formatit të vetëdeklarimit të përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Mbajtësi i licencës duhet të ketë dhe të ndjekë procedura për të ruajtur dhe testuar efikasitetin e pajisjeve e të sistemeve të sigurisë. Mbajtësi i licencës duhet të kryejë inspektime periodike të pajisjeve dhe infrastrukturës nga subjekte të licencuara për këtë qëllim.
Skema e sigurisë së objektit së bashku me procedurat e sigurisë, planin e dislokimit dhe transportin e sigurt të cannabis-it përgatitet nga drejtuesi teknik i subjektit të ngarkuar për ruajtjen e sigurinë fizike dhe miratohet nga shefi i Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti dhe hartohet në 4 (katër) kopje origjinale të cilat i vendosen në dispozicion nga 1 (një) kopje subjektit, Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (Agjencia), subjektit të ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatit të Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
Në rast defekti të sistemeve të sigurisë, subjekti i licencuar ose subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike, në varësi të parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve, ka detyrimin të bëjë riparimin e menjëhershëm, por jo më shumë se 24 orë nga defekti. Subjekti njofton menjëherë Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
Ruajtja dhe sigurimi i ambienteve ku ushtrohet aktiviteti kryhet nga subjekti i ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet palëve, në zbatim të përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.
Kontrata hartohet në gjuhën shqipe në 4 (katër) kopje origjinale të cilat depozitohen nga 1 (një) kopje për subjektin, Agjencinë, subjektin e ngarkuar për ruajtjen dhe sigurinë fizike dhe Komisariatin e Policisë të juridiksionit ku ndodhet objekti.
III. RREGULLAT DHE TARIFAT PËR LIDHJEN E MARRËVESHJES PËR RUAJTJEN DHE SIGURINË FIZIKE, SI DHE PËR LËVIZJEN E AUTOMJETEVE TË DEDIKUARA PËR TRANSPORTIN E LËNDËVE TË PARA DHE PRODUKTEVE E NËNPRODUKTEVE TË CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE

Rregullat që duhet të ndiqen nga subjekti i licencuar për lidhjen e marrëveshjes për ruajtjen dhe sigurinë fizike, si dhe lëvizjen e automjeteve të dedikuara të tregtimit të lëndëve të para dhe produkteve janë, si më poshtë vijon:
a) Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj duhet të kryhet me mjete të mbyllura që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit dhe duhet të shoqërohen me procesverbalin përkatës për sasinë dhe llojin e produktit që transportohet.
b) Transporti i bimës, nënprodukteve dhe produkteve të saj të destinuara për përdorim mjekësor, të prodhuara nga bima e cannabis-it nga prodhuesi i licencuar, duhet të bëhet me mjete transporti të tilla që të sigurojnë ruajtjen e barit në temperatura as më të larta e as më të ulëta sesa ajo që thuhet në etiketim ose fletudhëzuesin e barit.
c) Subjekti i licencuar duhet të sigurojë që automjeti i transportit të jetë i mbyllur, i vulosur dhe i pajisur me GPS, me qëllim monitorimin pa ndërprerje të lëvizjes nga origjina në destinacion dhe të ketë kamera që monitorojnë materialin që transportohet, si dhe të ruhet dhe të shoqërohet nga shërbim i sigurisë deri në/nga pika e kalimit të kufirit sipas parashikimeve në marrëveshjen e lidhur mes palëve.
ç) Çdo lëvizje apo transportim kryhet vetëm pas marrjes së autorizimit nga Agjencia e cila miraton dhe datën e propozuar të lëvizjes apo transportit, sipas formatit të miratuar nga kjo e fundit.

d) Në çdo rast, për çdo lëvizje, transportim të farërave, fidanëve, lëndës së parë, të bimës së cannabis-it mjekësor, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj dhe mbetjeve/produkteve që asgjësohen nga një vend në një vend tjetër, subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para lëvizjes së planifikuar, përmes Regjistrit Kombëtar të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara të bimës së cannabis-it dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Njoftimi përmban informacion lidhur me oraret e lëvizjes, intenerarin përkatës, të dhënat për çdo mjet që bën transportin, si dhe punonjësit e shërbimit që shoqërojnë ngarkesën.
dh) Subjekti i licencuar i garanton Agjencisë akses të pakufizuar dhe në kohë reale në sistemin e kamerave që monitorojnë të gjitha ambientet e njësisë, si dhe sistemin e kamerave që monitorojnë transportin e çdo materiali të lidhur me cannabis-in mjekësor, si dhe në imazhet filmike të ruajtura.
e) Procedurat doganore të eksportimit mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të daljes nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të fillojnë në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit dhe të përfundojë në zyrat doganore kufitare të daljes nga territori, në përputhje me legjislacionin doganor që rregullon procedurat e eksportit të mallrave. Subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
ë) Procedurat doganore të importimit të farërave dhe fidanëve mund të kryhen pranë zyrave doganore kufitare të hyrjes në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, ku kryhen edhe kontrollet për sigurinë e mbrojtjen dhe, sipas rastit, këto procedura mund të kryhen në zyrat doganore të brendshme kompetente për territorin ku janë vendosur ambientet e kultivimit, në përputhje me legjislacionin doganor që rregullon procedurat e eksportit të mallrave. Subjekti i licencuar është i detyruar të njoftojë, të paktën 5 (pesë) ditë para procedurës doganore të import/eksportit Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Subjekti njofton jo më pak se 24 orë para mbërritjes së farërave dhe fidanëve institucionin përgjegjës për inspektimin fitosanitar në pikën e inspektimit kufitar ku do të hyjnë produktet.

Tarifat për shërbimet e sigurisë që u ofrohen subjekteve të licencuara për kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it për qëllime mjekësore janë sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, subjektet e licencuara, si dhe subjektet e ngarkuara për ruajtjen dhe sigurinë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb