NGA BERND BORCHARDT

Është kënaqësi të jem këtu sot, për të diskutuar mbi lirinë e shprehjes në media, pak përpara zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. Shqipëria ka një treg mediatik të hapur dhe të lirë. Ky pluralizëm u ka dhënë oksigjen proceseve demokratike pas ndryshimeve të ‘90-s dhe ka mbështetur zhvillimet në vend, si edhe të drejtën e publikut për të ditur. Së fundmi, kemi qenë dëshmitarë të sfidave dhe kërcënimeve të reja ndaj lirisë së medias, në nivel vendor dhe global.

Unë do të përqendrohem te sfidat që kanë lidhje me zgjedhjet në Shqipëri.
Gjatë periudhave zgjedhore, raportimi i lirë, i pavarur, i paanshëm dhe profesional është parakusht që njerëzit të formojnë pikëpamjet e tyre dhe që proceset demokratike të respektohen. Për ne, s’ka fjalë për ta theksuar mjaftueshëm rëndësinë e lirisë së shprehjes.

Epoka e re elektronike është zhvilluar më shpejt sesa çdo organ rregullator mund të arrijë ta normojë, si edhe më shpejt sesa debati që shoqëria arrin të zhvillojë. Nevojitet një diskutim i mirëpeshuar dhe i pjekur ndërmjet të gjithë aktorëve në lidhje me median, rrjetet sociale, jetën private, sigurinë dhe përmbajtjen. E dimë të gjithë se ç’janë lajmet e rreme. E megjithatë, për OSBE-në mbetet vlerë themelore garantimi i internetit të sigurt, të hapur dhe të lirë. Ju jemi mirënjohës që na keni ftuar për të komentuar mbi projekt-ndryshimet në ligjin për tregtinë elektronike, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të tyre. Qeveria dhe Kuvendi mund të mbështeten në ndihmën tonë të mëtejshme në këtë drejtim.
Fatkeqësisht ekziston një ide për t’u vendosur portaleve të lajmeve online detyrimin për monitorim, regjistrim dhe madje edhe mbyllje të tyre. OSBE-ja është seriozisht e shqetësuar për këtë zhvillim, sepse mund të kthehet lehtësisht në një shkelje potenciale të lirisë së medias.

Gjithashtu, jemi të shqetësuar për disa dispozita që detyrojnë mediat private të transmetojnë të ashtuquajturat “kasetat e partive”. OSBE/ODIHR-i është shprehur qartë, dy herë tashmë, për këtë çështje. Rekomandimet e 2013-s dhe 2015-s e thonë qartë se këto lloj kasetash duhet të transmetohen vetëm në emisione marketingu politik të etiketuara dukshëm dhe të emërtohet burimi i materialit. Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë po sheh dhe nga vjen materiali. Në demokraci, asgjë nuk mund ta zëvendësojë raportimin e vërtetë dhe të pavarur të medias. Në këtë aspekt, rekomandimet e ODIHR-it janë të qarta: të shfuqizohet detyrimi për mediat private që të transmetojnë “kasetat e partive” gjatë emisioneve të lajmeve.

Procesi i dixhitalizimit, që ka filluar që në vitin 2004 pa një kuadër rregullator të përcaktuar qartë dhe ka vuajtur nga një rregullator transmetimesh jofunksional në të kaluarën, ka pësuar ndikim politik dhe mungesë besimi përgjatë procesit. Disa vendime gjykatash de facto shfuqizuan dispozitën në ligjin për median, që kufizon përqendrimin e pronësisë në media. Një tjetër vendim gjykate vendosi për dhënie licencash në vend të rregullatorit kombëtar të transmetimeve. Në një atmosferë ankesash dhe akuzash, të ndërthurur me disa çështje gjyqësore ekzistuese, për ne është tejet e rëndësishme që faza përfundimtare e dixhitalizimit të mos përjashtojë asnjë nga transmetuesit ekzistues nga raportimi i zgjedhjeve të këtij viti dhe, nëse kjo nuk mund të garantohet, atëherë është më mirë të pritet dhe të zbatohet kalimi përfundimtar në transmetimet dixhitale më vonë gjatë këtë viti, pas zgjedhjeve.

Prezenca e OSBE-së është e gatshme të bashkëpunojë për të gjitha këto çështje, për të përkrahur lirinë e shprehjes në media dhe për të ndihmuar Shqipërinë për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it; ne të gjithë duhet të kontribuojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

* Fjala e kryetarit të Prezencës së OSBE-së në seminarin parlamentar për lirinë e shprehjes në media, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Evropës

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: