Gazetari Adi Krasta ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministri Edi Rama. Në emisionin e tij, “A Show”, një Agon Channel të datës 7 tetor, Krasta thotë se kryeministri ka veneracion ndaj banditëve pasi “ata e tërheqin me të kaluarën e ashpër dhe pandëshkueshmerinë dhe sidomos me transformimin e guximshëm në njerëz të pasur dhe të fuqishëm me pushtet”.

“A” me nje reflektim mbi publikimin e fundit te analistit Owen Jones “Establishmenti”.
Pikëtakimet me struktura të krahasueshme, një sjellje e ngjashme e eksponenteve te fuqishem te momentit, pjestare te Establishmentit ballkanik e shqiptar. Nje analize e sjelljes se individit politikomediatik . “A”-Kështu e perifrazon emisionin e tij, Krasta në këtë puntatë e fundit në Agon Channel pasi, këtij kanali iu pre sinjali dhe energjia elektrike.

Ai më tej bën një analizë të thellë të një personi të droguar duke marrë pikënisje nga një libër që ka lexuar sëfundmi, të Ouen Jons. Bëhet fjalë për “Establishment”. Me qëllim ai thekson karakteristikat e një personi të droguar dhe sjelljen e tij karshi të dytëve. Krasta thekson se ky libër shpjegon sjelljen e djemve ‘cool’ të qeverisë sonë.

“Establishment është një klinikë e madhe rehabilitimi për abuzuesit me drogën. Ai ka shkruar se abuzimi me drogën nuk është vetëm një aktivitet i vogël i ndaluar, është një ves i fshehtë i gjithë establishmentit. Kohë më parë do e kisha lexuar këtë përcaktim me një lloj mosvëmendje, por sot jo. Establishmenetet funksionojnë sipas të njëjtave rregulla, dhe kanë të njëjtin protokoll. Shmangia e drejtuesit nga të qënit i sigurt drejt një vetësigurie të tepruar moskokëcarëse, militarizimi i gjuhës për të deklasifikuar ata që mendojnë ndryshe, etiketimet dhe stigmatizimit ofendues ndaj atyre që artikulojnë defekte apo bëjnë të njohur situata apo qasje të rrezikshme të këtij establishmenti. Reagim foshnjarak, kokderrllëku, ndaj një të vërtete po aq kokëfortë duke mos e pranuar atë apo duke e fshehur me këmbëngulje. Mos kërkesë ndjese apo moskërkim faji apo përgjegjësie…

Prit një cast thotë një shikues apo lexues; cfarë lidhje ka arroganca me pushtetin me abuzimin me drogën?
Për këta djem ‘cool’ të qeverisjes, ky ves paska një lidhje gati mistike prakticiteti. Të jep shtysë për t’u bërë çapraz dhe arrogant, të jep shtysë për t’u bërë grykës dhe alabak, të bën të kesh halucinacione skëndërbeiste dhe dalldira për ataturkizëm në një paneton real të një lavdie të përjetshme. Sepse vetëm me drogë ndoshta ndodh trapëzimi i një politikani në të tilla përmasa.

Gjithashtu Krasta thotë se edhe media në këto kohë është shumë e lidhur me pushtetin, pasi o janë falur ose janë në pritje të falen. Krasta thotë se kryeministri ka veneracion ndaj banditëve pasi “ata e tërheqin me të kaluarën e ashpër dhe pandëshkueshmerinë dhe sidomos me transformimin e guximshëm në njerëz të pasur dhe të fuqishëm me pushtet”.

“Ka qenë gjithë shumë e vështirë nga pikëpamja gazetareske të merresh me parti qeveritare. Kryeministra që maja e pushtetit të momentit i ka vetëgënjyer jo pa pasoja për një fuqi të përjetshme, por është bërë e pamundur tash ku partia në pushtet, pastruar plotësisht nga ideologjia, ka qasje të njëjtë me partinë e opozitës, të rënë nga pushteti dhe partia e tretë është bërë po aq e rrezikshme në këtë amalgamë, ku pasanikë të mëdhenj e të paprekur, formojnë këtë rreth apo rrjetë së bashku.

Lidhjet e shumëpërfolura të drejtuesit të qeverisë apo të qeveritarëve të tij me rekorde kriminale apo banditë të dikurshëm të shndërruar në zotërinj me fuqinë e parasë, nuk janë një referencë lokale dhe jo vetëm shqiptare. Fjala vjen, ish-kryeministri britanik, Toni Bler për shkak të marrëdhënies së tij me diktatorin kazak, presidentin Nazarbajev. Bler fitoi 13 milionë dollarë në vit për të bërë këshilltarin e atij regjimi. Kjo nuk është ilegale, sigurisht, shkruan Ouen Jons që ka shkruar librin “Establishment”.

Ish-kryeministrat përfitojnë prej lidhjeve të biznesit me diktatorë në vendet e tyre që shkelin të drejtat e njeriut, edhe pse kjo duket e shëmtuar kjo nuk është e ndaluar me ligj. Të kuptosh sot kufirin poroz, dmth me hapësira që ndan botën politike me atë të korporatave është thelbësore për të kuptuar vetë kapjen që elita korporatave i ka bërë elitës së demokracisë ballkanike.

Ndaj nuk më çudit veneracioni i që drejtuesi i qeverisjes ka ndaj banditëve të zakonshëm, ata natyrisht e tërheqin me të kaluarën e ashpër dhe pandëshkueshmerinë dhe sidomos me transformimin e guximshëm në njerëz të pasur dhe të fuqishëm me pushtet. Paraardhësit e drejtuesit i kanë përdorur banditët kur ua kishin nevojën, sot ata venerohen dhe mbrohen”, thotë gazetari Adi Krasta, gjatë emisionit të tij “A Show”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: