7 katëshi i Maks Velos, i pozicionuar pak metra larg qendrës së Tiranës ka nisur të shembet këtë të martë, ndërsa qyteti shënon Ditën e Rinisë. Ndërtesa e projektuar nga arkitekti Velo më 1976, mbante statusin monument kulture i kategorisë së dytë për vlerat historike e arkitektonike që bartte.
Godina që ka shërbyer si seli e Agjencisë Telegrafike shqiptare, binte në sy në “Bulevardin Zogu I”, jo vetëm si shtatëkatëshja parë, por edhe për konstruksionin e saj prej xhami në gjithë anën ballore, e para e këtij lloji, madje e frymëzuar nga shkolla amerikane e arkitekturës.
Arsyeja zyrtare e shembjes është një raport i Institutit të Ndërtimit, i cili ngre pretendimin se objekti është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Megjithatë, Inxhinieri Orhan Sakiqi ka kundërshtuar raportin e Institutit të ndërtimit, duke shprehur bindjen se objekti nuk është i dëmtuar.
Ndërkaq, plani i projektimit, parasheh që në vend të 7 katshit të ndërtohet një strukturë për zyrat e administratës publike.