Progresi i vazhdueshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE) do t’i japë një shtysë Ballkanit Perëndimor duke forcuar institucionet, konkurrencën dhe infrastrukturën, thuhet sot në një raport të Moody’s Investors Service.

Sipas këtij raporti, sfidat komplekse politike rajonale do të ngadalësojnë miratimin e reformave të kërkuara nga procesi i pranimit dhe së bashku me lodhjen ndaj zgjerimit që ndihet në Europën Perëndimore, në fund të fundit mund të vonojnë afatin kohor për anëtarësimin e tyre në BE.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin një shtysë institucionale nga procesi i pranimit në BE”, tha Evan Wohlmann, një nga nënkryetarët e agjencisë “Moody’s”, analist i vjetër dhe bashkautor i raportit. “Përfitimet kryesore ekonomike do të vijnë nga investimet në infrastrukturë dhe konkurrenca e tyre e përmirësuar”, vijoi ai.

Raporti fokusohet në ndikimin në Shqipëri nga anëtarësimi në BE (vend stabël B1), Bosnjë dhe Hercegovinë (vend stabël B3), Mal të Zi (B1 pozitive), Maqedoni (pa klasifikim), Kosovë (pa klasifikim) dhe Serbi (vend stabël Ba3).

Konvergjenca e BE-së ka të ngjarë të forcojë institucionet kyçe të politikës fiskale dhe monetare, duke përfshirë këshilla fiskale të pavarura dhe bankat qendrore. Treguesit e përmirësuar të qeverisjes për shtetet anëtare të Europës Qendrore dhe Lindore që u bashkuan me BE në 2004 dhe 2007 ilustrojnë përfitimet e prekshme nga një perspektivë kreditimi.

Përafrimi drejt politikave dhe standardeve të BE-së do të ndihmojë në forcimin e mjediseve të dobëta të biznesit dhe do të nxisë zhvillimin e sektorëve privatë më konkurrues në të gjithë rajonin, duke përmirësuar rritjen potenciale.

Përveç kësaj, fondet e BE-së duhet të ndihmojnë në ngushtimin e deficitit në infrastrukturën e rajonit, forcimin e sigurisë energjetike, lidhjeve të transportit dhe nxitjen e tregtisë brenda rajonit.

Ndërsa shumica e Ballkanit Perëndimor tashmë përfiton nga lidhja e ngushtë me BE-në në drejtim të tregtisë dhe investimeve, ekziston mundësia për përfitime të mëtejshme nëse vendet sofistikojnë edhe më eksportin.

Megjithatë, dinamika politike brenda dhe ndërmjet vendeve të rajonit do të pengojë përgatitjet dhe do të ngadalësojë ritmin e reformave të kërkuara për pranimin në BE./ATA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb