VLORË- Policia e Vlorës ka vënë në pranga 2 të rinj, të cilët akuzohen për pengmarrje. Sipas të dhënave zyrtare janë arrestuar shtetasit Damjano Rrapaj, 19 vjeç dhe Alexandër Gjatari, 32 vjeç, nga Vlora të cilët më 30 maj kanë marrë me forcë në makinë shtetasin me iniciale Y.K.. Po kështu policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe shtetasin me iniciale K.Gj, 29 vjeç, i shpallur në kërkim edhe më parë për “Largim nga vendi i qëndrimit”.

Arrestimi i këtyre 2 shtetasve dhe shpallja në kërkim e shtetasit të 3- të, u bë për arsye se, më datë 30.05.2016, në lagjen “28 Nëntori”, në bashkëpunim me njëri­-tjetrin, për motive të dobëta, kanë marrë me forcë shtetasin Y.K., 32 vjeç, banues në Vlorë, e kanë futur në automjetin e tyre tip “Benz” me targë AA 656 KC dhe kanë lëvizur me shpejtësi në drejtim të lagjes “Ujë i ftohtë”.

Menjëherë strukturat e policisë janë vënë në ndjekje të tyre dhe personat e mësipërm pasi kanë parë shërbimet nga pas, kanë lënë të lirë personin e marrë peng, në vendin pranë stacionit të furgonave të Kaninës. Më pas, gjatë rrugës në ikje, kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, kanë braktisur mjetin në Jonufër dhe janë larguar në drejtim të paditur. Gjatë hetimeve intesive në lidhje me ngjarjen, Policia ka bërë të mundur identifikimin, kapjen e 2 prej tyre dhe shpalljen në kërkim e personit të 3-­të, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e rendit dhe sigurisë publike”, “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë” dhe “Moskallëzim krimi”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: