Apeli i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO për dënimin me 2 vite burg të ish-avokatit të shtetit, Irgen Kërçuku.

Irgen Kërçuku, akuzohet nga SPAK se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi është korruptuar nga Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut.

Njoftimi: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 36 akti, datë 27.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit I.K., kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të ligjit Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.
2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit I.K. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.
3. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi, ku në përllogaritje të përfshihet edhe periudha e qëndrimit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit I.K. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
5. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit I.K.

Historia:

Hetimet nisen pas atentatit te deshtuar ndaj Aleksander Lahos dhe ish prokurorit Arjan Ndoja. Ne telefonin e Lahos hetuesit gjeten te dhena per nje afere korruptive, ku Laho diskutonte me Kerçukun per nderhyrjen me qellim tjetersimin e nje siperfaqe toke. SPAK tha zyrtarisht se pasi kishte mbyllur hetimet, ka dale ne perfundimin se: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.235 të vitit 2020 dhe në përfundim të tyre në datën 25.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:

• Irgen Kërçuku, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas parashikimeve të kësaj dispozite në kohën e kryerjes së veprës penale.

• Aleksandër Laho, akuzar se ka kryer veprën penale “ Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal. Në analizë të veprimeve hetimore të kryera është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Irgen Kërçuku, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë nga i pandehuri Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës .

I pandehuri Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë i ka dhënë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë, avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, të pandehurit Irgen Kërçukut, për atë personalisht, me qëllim për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb