Ismail Barhoum, një anëtar i byrosë politike të Hamasit, u vra në sulmin që goditi ndërtesën kirurgjikale të spitalit Nasser në Gazën Jugore, në qytetin Khan Younis, të dielën në mbrëmje.
Barhoum, i cili kishte marrë detyrën si kryeministër i Hamasit vetëm disa ditë më parë, po trajtohej në spital në momentin e shpërthimit, tha grupi militant në një deklaratë.
Sulmi në spital vrau dy persona, përfshirë një djalë 16-vjeçar, i cili i ishte nënshtruar një operacioni dy ditë më parë, tha Ministria e Shëndetësisë e territorit të Hamasit. Të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi, i cili shkaktoi edhe një zjarr të madh në objekt.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin në spital, duke thënë se goditi një militant të Hamasit që vepronte atje. Izraeli fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve sepse vepron në zona me popullsi të dendur.
Më shumë se 50,000 palestinezë janë vrarë tani në luftë, tha më herët të dielën Ministria e Shëndetësisë.
Kryeministri i dytë i Hamasit që vret Izraeli në 1 javë
Në 17 mars, kryeministri de fakto i qeverisë në Rripin e Gazës, i kontrolluar nga lëvizja radikale Hamas, Essam al-Daalis, u vra në një nga sulmet ajrore të kryera nga Forcat Ajrore izraelite në enklavën e bllokuar. Kryeministri i qeverisë së Hamasit, al-Daalis, u vra në sulmin e fundit nga Forcat Ajrore izraelite pasi një predhë goditi shtëpinë ku ndodhej al-Daalis në atë moment.
Gjithashtu, po në këtë sulm Mahmoud Abu Watfa, nënkryetar i Ministrisë së Brendshme në qeverinë e Hamasit në Gaza, u vra gjatë bombardimeve izraelite.
Më 18 mars, IDF kreu sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës, ndërsa gazetari amerikan i Axios Barak Ravid postoi në rrjetin social X, duke cituar zyrën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, se Izraeli kishte rifilluar operacionet ushtarake kundër Hamasit në enklavë.
(BalkanWeb)