Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mori pjesë në panairin e 88 të Selanikut, ku foli për shumë çështja, ndër të tjera edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë.

Ai tha se çështja e të drejtave të pronave të minoritetit grek në Shqipëri është kusht kryesor për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

Kreu i qeverisë helene deklaroi se dëshiron që të ketë marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë. Ai nënvizoi se tashmë së bashku me eurodeputetin grek Fredi Beleri do të punojnë në Parlamentin Europian për çështjen e pronave të minoritetit grek në Shqipëri.

 

“Ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë edhe Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë dhe nuk dua të flas me detaje për rastin e Fredi Belerit. Dua të shpreh kënaqësinë time për faktin që ai ishte me ne në Panairin Ndërkombëtare dhe që kjo aventurë krejtësisht e padrejtë dhe e panevojshme që ai kaloi, më në fund mbaroi.

Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet, duke parë imazhin e gjerë , pra marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë shumë të mira, kalojnë nga respektimi i të drejtave të pakicës kombëtare greke të Shqipërisë.

Çështja e të drejtave pronësore nuk ka dalë asnjëherë nga axhenda jonë. Ajo po rikthehet dhe ajo që ne do të bëjmë është të sigurojmë, me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht. Dhe do të thosha se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”, tha Mitsotakis.

Pas një planifikimi dhe kërkese nga autoritetet lokale prej 19 vitesh, më në fund ministria e Transportit dhe ajo e Infrastrukturës kanë aprovuar fillimin e punimeve të aksit rrugor Janinë-Kakavijë, kaq i rëndësishëm për lëvizjen e mijëra automjeteve çdo ditë drejt dy vendeve. Mitsotakis prezantoi vizionin e tij qeveritar deri në vitin 2027.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb