Zyrtarët në Bruksel këtë javë mund të rekomandojnë se Ukrainasit dhe Gjeorgjianët duhet të udhëtojnë në Bashkimin Evropian pa viza.

Megjithatë, Kosova nuk mund të presë asgjë të tillë. Përse?

Kjo mbase mund të tingëllojë si një gjë e parëndësishme; Kosova është një vend i vogël dhe udhëtimi pa viza do të thotë e drejtë vizite për tre muaj, pa mundur të jetosh apo punosh në vendin ku udhëton. Por vendimi ka të bëjë me faktin nëse BE-ja do të vazhdojë t’i përmbahet qëllimit të saj origjinal që ta përdorë integrimin për të stabilizuar kontinentin.

Nga njëra anë është për t’u habitur që BE-ja po i liberalizon rregullat e udhëtimit për këdo, duke pasur parasysh valën e ndjenjës izolacioniste, anti-emigrante që ka kapluar Evropën këto kohë. Kjo nënkupton që blloku strategjikisht po mendon për interesat e tij.

Udhëtimi pa viza lehtëson tregtinë ndërkufitare dhe investimet. Biznesmenët turq për vite me radhë janë ankuar pasi që kjo i pengonte të takonin klientët dhe të vizitonin filialet e tyre në BE. Edhe pse Turqia ka pasur një bashkim doganor me bllokun që nga viti 1996, turqit prapë duhej të kishin viza për të udhëtuar në vendet Europiane.

Mundësia për të udhëtuar lirshëm gjithashtu i lejon njerëzit nga vendet e korruptuara dhe jofunksionale të provojnë përfitimet e demokracisë dhe shtetit ligjor. Kjo është një mënyrë për t’u bërë të ditur fqinjëve se ata nuk janë të përjashtuar nga klubi europian, por që mund të shpresojnë për t’u integruar dhe përparuar nëse vazhdojnë të pastrojnë dhe forcojnë institucionet demokratike të vendit të tyre.

Shpresa e integrimit evropian është ajo që ka bërë të mundur fillimin e procesit të pajtimit të Serbisë dhe ish-krahinës së saj, pasi Kosova u shpall shtet i pavarur në vitin 2008. Bashkëpunimi për të shmangur çdo konflikt të ardhshëm është pikërisht arsyeja pse u krijua BE-ja. Që nga fillimi Kosova është mbajtur në një standard të ndryshëm. Kur është fjala për anëtarësim, kjo mbase ishte e pashmangshme: Pesë nga 28 vendet anëtare të BE-së nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, ndaj, derisa kjo të zgjidhet, Kosova nuk mund të bëhet anëtare. Ndërkohë, të hënën Komisioni Evropian hapi dy kapitujt e parë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, përfshirë një për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Kosovën.

Kosova ka nevojë për liberalizimin e vizave që të mbajë gjallë shpresën e integrimit në BE. Por prapë, asaj i janë dhënë thuajse dy herë më shumë kritere se fqinjët e saj për të përmbushur. Deri tani Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Serbia kanë siguruar liberalizimin e vizave, duke e lënë Kosovën në izolim, në zemër të një rajoni që BE-ja e konsideron sa strategjik aq dhe të paqëndrueshëm. Pse është aq i zgjuar?

Ja si ma shpjegoi Ministri i Kosovës për Integrimin Europian, Bekim Çollaku:

Zgjatja e mëtejshme e kësaj situate do të ketë pasoja shumë serioze. Njerëzit do të bëhen më pak optimistë për të ardhmen e tyre Evropiane dhe do të kërkojnë alternativa të tjera për këtë izolim.

Këto alternativa do të përfshijnë kryesisht migrimin ilegal në BE, veçanërisht për të rinjtë që priren gjithnjë e më shumë drejt Evropës.

Problemi i dukshëm me Kosovën është një mungesë e vazhdueshme në përpjekjet për përmirësimin e shtetit ligjor dhe goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto kritika janë mëse të merituara. Hidhini një sy hartës së vendeve të cilat kanë përfituar ose do ta përfitojnë së shpejti udhëtimin pa viza nga BE:

Moldavia: Një nga politikanët më të fuqishëm të vendit u arrestua në tetor, si pjesë e një hetimi në një mashtrim bankar ku u zhduk 10% e PBB-së së vendit. Nuk është më pak i korruptuar se Kosova.

Ukraina: Prokurorët dhe gjykatat e Kosovës mund të jenë jo më pak të pavarur apo kompetentë se ato të Ukrainës, sidomos pas marrjes së asistencës më të madhe nga BE-ja për shtetin ligjor.

Kolumbia dhe Shqipëria: A ka Kosova një problem më të madh të krimit të organizuar? Ka shumë të ngjarë që BE e pranon se sfida kaq të mëdha do të vazhdojnë për vite me radhë.

As varfëria nuk është faktori skualifikues. Kosovarët janë më të pasur se moldavët apo ukrainasit. Dhe janë sigurisht më pak kërcënues, me një popullsi prej 1.8 milion banorë krahasuar me Ukrainën që ka një popullsi prej 45 milion banorë.

Ndoshta ekziston frika se kosovarët rrezikojnë të shkelin afatin tre-mujor të vizave dhe të zhduken në ekonominë e zezë; apo që luftëtarët e Shtetit Islamik të futen në mesin e tyre -232 persona nga Kosova, një komb me shumicë myslimane, besohet të kenë shkuar për të luftuar në Siri. Kjo është një shifër më e lartë për frymë se çdo vend tjetër i BE-së. Sidoqoftë, udhëtimi pa viza mund të zvogëlojë emigracionin e paligjshëm.

“Kjo është një dinamikë shumë e rrezikshme”, thotë Gerald Knaus, drejtor i Iniciativës Evropiane për Stabilitet. “Ajo nuk i ofron Kosovës asnjë perspektivë. E izoluar, e varur nga importet, me normën më të ulët të punësimit për gratë në Evropë – cila është e ardhmja e saj?”

Mirë apo keq, BE e mori vendimin për ta njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Tani ajo duhet të sigurohet që të dyja të integrohen në BE së bashku./Bloomberg View/

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: