Nga: LILIANA HOXHA*
Tashmë janë ndarë qartë pikëpamjet e këndvështrimet për të gjykuar Enver Hoxhën, nga konjuktura politike për shumë keq por edhe për mirë nga shtresat e gjëra popullore.

Balancën nuk mund e nuk duhet askush ta synojë hë për hë, si objektiv i historisë që është. Personalisht e kam shprehur publikisht që nuk jam dakord për manifestimet me fotot e Enver Hoxhës. E para për të mos irrituar njerëzit që janë kundër tij, kryesisht të persekutuarit gjatë komunizmit, por edhe pse paraqitja e portreteve të tij lejohet nga maxhoranca sot për interesa elektorale, ndërkaq që nga 1989 deri sot Rama ka qenë më ekstremisti kundër tij, krahas së djathtës, që natyrisht e ka të përcaktuar këtë qëndrim si platformë politike.

E imunizuar personalisht nga çdo provokim, jam krejtësisht e pozicionuar për interesin e përgjithshëm të shqiptarëve, pa ndasi e për një qëndrim sa më konsensual, me synimin për në BE. Ndërkaq si gjithë populli shqiptar jam tërësisht pro amerikane si mbështetësi kryesor i interesave tona. Tashmë që ideologjitë e vjetra kanë dalë jashtë funksionit (përveç çka ushqen terrorizmin), nuk besoj që Departamenti i SH.B.A-ve të preokupohet nga dy tre foto të Enver Hoxhës në një manifestim popullor nga ish-partizanë e bijtë e tyre me rastin e ceremonisë zyrtare për luftën nacional-çlirimtare, të cilën e udhëhoqi autoriteti në fjalë. Pra për hir të faktit historik prania e portreteve të tij nuk përbën shkelje ligji, përveçse shkelje e përligjjes për të mos folur e për të mos e shfaqur kurrë përveçse për keq, nga ata që e urrejnë e që në vitet 90 bënin maxhorancën. Për këto ndjesi personale të tyre, mbeten arrogantë edhe ndaj historisë. Ndaj edhe duhet durim, se e ardhmja si progresiste natyrale do të vërë gjithçka në vend të vet, për mirë apo për keq. Gustot (se nuk bëhet fjalë për bindje), tendencat e interesat politike personale apo në grup, janë ende të nxehta e për pasojë irritojnë mjedisin midis shqiptarëve. Ndaj Rama të mos luajë rolin hidh gurë e fshih dorë.

Por më i çuditshëm se paraqitja e vetë portretit të Enver Hoxhës, siç thashë për rolin e tij në Luftën e Dytë Botërore, kur SH.B.A mbante peshën nga më të mëdhatë si aleat i boshtit, ishte pozicionimi ekstrem i ambasadorit Arvizu në media, çka e mendoj si pozicion krejtësisht personal. Ai u preokupua që fotot e Enver Hoxhës ( monstër siç e quan ai), fyen shqiptarët. Ndërkaq harron që populli shqiptar në shumicën e tij është i majtë, për më tepër sot shumë i varfër. Këta të zhgënjyer nga qeverisjet për njëzet e ca vjet, mbeten nostalgjikë ndaj Enver Hoxhës. Jo për ideologji, veç për sigurinë e jetës, për shkollimin e mjekimin e fëmijëve etj. Duke qenë krydiplomat si ambasador i SH.B.A-ve, qëndrimi i z.Arvizu është jo vetëm fyerje, por lëndim për shtresat në nevojë, që sot s’kanë as të hanë. S’kanë as ku të shkojnë, pikërisht ata të cilëve po ju prishen shtëpitë nga Rama, ndonëse ai ju pat premtuar në mënyrë proverbiale: “Nuk do të prish ndërtimet pa leje edhe sikur Enver Hoxha të ngrihet nga varri”! Shqiptarët po ecin përpara pa Enver Hoxhën. Është politika ajo që e sjell Enver Hoxhën në mes tyre për interesa, argumente apo për garanci politike, duke e stigmatizuar gjithmonë për keq. Ndaj z.Arvizu s’ka pse të shqetësohet, sepse gjithçka është “misse en scene” politike, metodologji të cilën ai si diplomat e njeh mirë. Z.Arvizu mbajti anën e oligarkisë politiko-mediatike e të biznesit. Pra të shtresës që pjell e organizon krimin politik deri në atë ndërkombëtar, e jo të masës së gjerë të popullit shqiptar, bijtë e së cilës ende kërkojnë të ikin nga Shqipëria për një jetë më të mirë, që ju kish premtuar ky tranzicion famëkeq. Kishte shumë për të na ndihmuar z.Arvizu, kryesisht për politikat jokonsensuale, sidomos lidhur me ekonominë, rënimin e së cilës po pëson Shqipëria sot.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: