Babai i 26-vjeçarit Indrit Çelaj, Baftjar Çelaj, ka reaguar pas vrasjes së të birit me plumb në kokë, teksa po punonte në vilën e familjes Kusi, në “Myslym Shyri”. I ati i viktimës shprehet se ka marrë vesh lajmin përmes medieve, ndërsa shton se djali i tij nuk ka pasur asnjë konflikt.

Duke shprehur dhimbjen e madhe për humbjen tragjike, ai thekson se është fatkeqësi të nisesh për në punë dhe të kthehesh i vdekur. Ndër të tjera, i ati i viktimës shton se nëse do kishte fuqi, nuk e dinte çfarë do të bënte pas vrasjes së të birit.

“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit. Kjo është fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi. E kam marrë vesh nga gazetat. Çuni është vrarë në 11 paradite unë e mora vesh në orën 7 në darkë se i kishin marrë edhe dokumentet. Çunin e kishte marrë policia. Djali ishte në punë, punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët.

Asnjë konflikt nuk ka pasur djali, ka qenë i kulturuar dhe i sjellshëm. Rrallë gjen djalë si ai , nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re. Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. Kur vajta në spital vetëm kam mbajtur veten. Sikur të kisha fuqi nuk dija se ca mund të bëja. Ku do kërkoj drejtësi, kush ma zgjidh mua”, thotë ai.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb