Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar për reformën e re territoriale që pritet të votohet sot në Kuvend, duke iu drejtuar deputetëve me thirrjen që të votojnë kundër saj.
Përmes një deklarate, Shehu tha se vota e deputetëve do të përcaktojë, sipas tij, nëse ata do të jenë në krah të qytetarëve apo kundër interesave të tyre.
“Kolege deputete, sot vota juaj do t’ju vendosë në anën e qytetarëve ose kundër atyre! Ky do të jetë raporti i votës së sotme me votuesit tuaj!”, shkroi Shehu.
Ai e cilësoi reformën e re territoriale si një “grusht institucional” ndaj qytetarëve, historisë dhe vlerave të komuniteteve, duke kundërshtuar veçanërisht ndryshimet që prekin zonat e Libohovës, Këlcyrës dhe Memaliajt.
Sipas Shehut, votimi i reformës do të çonte në “asgjësimin” e komuniteteve që kanë zgjedhur deputetët, ndërsa akuzoi qeverinë se synon të dobësojë identitetet lokale dhe të përqendrojë më tej pushtetin.
Deputeti demokrat tha se reforma do të “fshijë” me një votë historinë dhe kontributet e komuniteteve të jugut të vendit.
“Te votosh këtë anti reformë do të thotë të ‘fshish’ me një votë historinë, kontributet, personalitetet në shekuj, rolin e Libohovës, Këlcyrës, Memaliajt”, u shpreh ai.
Shehu kundërshtoi gjithashtu mënyrën e organizimit të territorit, duke thënë se banorët e Libohovës, Këlcyrës, Memaliajt, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit dhe Dropullit nuk janë pyetur për ndryshimet e propozuara.
Në fund të reagimit, deputeti demokrat iu bëri thirrje kolegëve të tij që të tregojnë përgjegjshmëri gjatë votimit.
“Mos i tradhtoni ata, keni një rast të ‘artë’ sot!”, përfundoi Shehu, ndërsa opozita vijon protestën rreth Kuvendit kundër reformës territoriale.
