Të paktën 10 efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur ose lënduar nga molotovët dhe lëndët piroteknike që janë hedhur në drejtim të tyre nga mbështetës të opozitës, të cilët prej orës 18:00 protestojnë në Tiranë, duke aplikuar format e mosbindjes civile.
Në një deklaratë, pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës, teksa mbështetës të opozitës, nisën hedhjen e molotovëve para Kryeministrisë, për të vijuar më pas te selia e PS-së, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës, Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
“Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore”, thuhet në njoftim.
Njoftimi zyrtar nga Policia
Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.
Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.
Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
(BalkanWeb)