Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar lidhur me protestën e zhvilluar pasditen e sotme nga opozita në kuadrin e mosbindjes civile.
Protesta e opozitës u mbajt në 6 pika nevralgjike, ndërsa ajo zgjati 3 orë, me disa tensione sporadike, por pa incidente, si në protestat e mëparshme.
Luçiano Boçi, nënkryetar i PD-së, për “Open” tha se protesta e realizoi qëllimin e saj, duke shtuar se ishte i kënaqur nga pjesëmarrja e qytetarëve në një nga aktet e mosbindjes civile.
“Jemi të bindur që do të vazhdojmë aksionin tonë, mosbindjen civile, deri në realizimin e aktit final”, tha Boçi. Ai tha se pavarësisht se Kryeministri i trajton njerëzit si të dobët, ata sot treguan se mund ta bllokojnë qeverisjen.
Ai tha se qëllimi që ne parashtrojmë nuk është një e mirë që i përket disa individëve apo disa grupeve, por të gjithë qytetarëve.
Boçi tha se opozita po ecën me një logjikë politike shumë të qartë. “Kemi kryer akte dhe do të vazhdojmë të kryejmë akte”, tha nënkryetari i PD-së.
Ai tha se janë vendimet politike të PD-së që do të marrin vendimet për sa i takon se si do të vazhdojë aksioni opozitar.
“Sot Kryeministri është kapur në korrupsion, po shijonte tekat e tij të luksit në SHBA. Ky kryeministër del në të gjitha përgjimet, del në ato bisedat e Sky EÇ, që bandat i caktojnë kandidatët për deputet. Ne sot kemi prishur qetësinë e Kryeministrit, i cili këtej tallet me 700 mijë pensionistë, këtej burgos opozitën. Ata qytetarët nuk dolën për pelegrinazh, mund ti kenë prishur qetësinë edhe ndokujt, por në fund të fundit ata qytetarë që kanë dalë në protestë po reagojnë ndaj një Kryeministri të kapur”, tha Boçi.
Ai u shpreh se kemi një diktaturë të fuzionuar tërësisht me krimin. “Këtë e thonë partnerët ndërkombëtarë, ndaj edhe SPAK u detyrua të hapë atë dosjen e Çyrbes, dhe Durrësi nuk është një zonë pilot, por kështu kanë vendosur bandat në të gjithë Shqipërinë”, tha Boçi.